Ku jemi ne në raport me Kuranin?

17/05/2008 23:42

Ku jemi ne në raport me Kuranin?

 

Kjo është një pyetje e madhe, e cila i drejtohet umetit islam në përgjithësi në lindje të kësaj toke dhe në perëndim të saj dhe njëkohësisht i drejtohet çdo individi që është anëtar i shoqërisë islame. Kur dihet sasia e stimulimit dhe e qartësisë së këtij libri hyjnor, nevoja për t’iu kthyer fuqishëm këtij libri është shumë e madhe, sidomos për kohën në të cilën jetojmë. Një pyetje përmbledhëse dhe shumë domethënëse është: Cila është pozita e Kuranit te ne, në jetën tonë, në besimin dhe vërtetësinë, në studimin dhe të kuptuarit e Kuranit, të punuarit dhe të praktikuarit e tij, në dispozitat dhe në të gjykuarit me të dhe sa praktikohet ky libër për shërimin dhe mjekimin e shumë sëmundjeve që janë në mesin e shoqërisë sonë islame?
   A jemi ne hapave të Pejgamberit alejhi selam dhe të shokëve të tij në jetësimin e këtij libri ashtu siç e jetësuan ata në jetën e tyre të përditshme? A i kushtojmë ndonjëherë kohë këtij libri ashtu sikurse u kushtojmë kohë dhe vëmendje të veçantë gazetave dhe revistave të ndryshme, që shpeshherë është edhe gjynah të shpenzohen edhe centët për to? Nëse i kemi parasysh këto që u shtruan si pyetje më lart, atëherë përse jemi larguar nga Kurani në tërësi, apo pjesërisht?
   Dhe kështu është afruar së vërtetuari tek ne sot ankesa e Pejgamberit alejhi selam për popullin e tij:

وَقَالَ الرَّسُولُ
يَا رَبِّ إِنَّ قَوْمِي اتَّخَذُوا هَذَا الْقُرْآنَ مَهْجُورًا

“E i Dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kuran si (diçka) të hedhur!” (El-Furkan, 30)

   Largimi nga Kurani është në forma të ndryshme. Kurejshët në kohën e Muhamedit alejhi selam nuk kanë dashur të dinë për Kuranin dhe as të dëgjojnë ndonjë pjesë të tij, madje më shumë se kjo. Ata thanë:

وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَا تَسْمَعُوا لِهَذَا الْقُرْآنِ
وَالْغَوْا فِيهِ لَعَلَّكُمْ تَغْلِبُونَ

“Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni), ashtu që ta pengoni!” (Fussilet, 26)

   Kur lexohej Kurani në prani të kurejshëve, ata e ofendonin dhe e fyenin lexuesin e Kuranit vetëm e vetëm që mos ta dëgjonin fjalën e Allahut. Ky lloj është prej llojeve më të mëdha të largimit nga fjala e Allahut dhe lënie e tij. Pastaj, një lloj largimi nga Kurani është edhe të mos besohet Kurani si fjalë e Allahut, të mos meditohet dhe të mos kuptohet leximi i tij, të mos praktikohen dhe zbatohen urdhrat e tij dhe të mos shmanget njeriu nga ato që janë ndaluar në Kuran. Gjithashtu, të mos gjykohet me të në të gjitha çështjet e jetës sonë, devijimi nga Kurani dhe të ecurit pas ndonjë poezie apo thënieje të kujtdo qoftë ose pas muzikës, epsheve apo ndonjë rruge jashtë rrugës së Islamit. Të tëra këto janë lënie dhe braktisje e Kuranit.
   Atëherë, cili është qëndrimi i çdonjërit prej nesh si umet islam rreth braktisjes së fjalës së Allahut? Prej shkaqeve kryesore të cilat çuan në braktisjen e Kuranit është devijimi i plotë nga qëllimet dhe fondamentet e Kuranit. Te disa ekziston bindja se Kurani ka zbritur për të vdekurit dhe jo për njerëzit e gjallë, duke mos e kthyer kokën fare nga ai, përveçse kur vdes dikush dhe ata mbledhin disa lexues të Kuranit për të lexuar Kuran duke menduar se ka dobi të madhe apo vendoset ndonjë kasetë apo cd. Në disa vende shkojnë e lexojnë Kuran gjatë varrimit të të vdekurit, kurse disa pas varrimit, varësisht prej zakonit të atij vendi. Te disa të tjerë mjafton që ndonjë konferencë, gazmend, mbledhje a takim të hapet me leximin e ndonjë pjese nga Kurani.
   Përderisa te të tjerët Kurani është shndërruar në diçka që duhet të shkruhet në hajmali dhe të varet rreth qafës, të vendoset nëpër shtëpi, makina vetëm e vetëm për t’u mbrojtur nga të këqijat, sipas bindjeve të tyre. A ka zbritur Kurani për ta lavdëruar atë në aspektin teorik duke gëzuar respekt dhe dashuri për të, ndërsa në anën tjetër të lihet pas dore jetësimi i tij, metodat edukative, dispozitat dhe legjislacioni që ai përmban si një libër hyjnor?
   S’do mend se Kurani ka rolin dhe fjalën kryesore në umetin e Muhamedit alejhi selam. Shikoni disa prej ajeteve kuranore që Allahu i ka theksuar në librin e Tij për librin e Tij, se ky libër është fjalë e Krijuesit tonë, Allahut subhanehu ue teala, dhe jo e njerëzve. Thotë Allahu i Madhërishëm:

قُل لَّئِنِ اجْتَمَعَتِ الإِنسُ وَالْجِنُّ عَلَى أَن يَأْتُواْ بِمِثْلِ هَـذَا
الْقُرْآنِ لاَ يَأْتُونَ بِمِثْلِهِ وَلَوْ كَانَ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ ظَهِيراً

“Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin.” (El-Isra, 88)

وَمَا كَانَ هَـذَا الْقُرْآنُ أَن يُفْتَرَى مِن دُونِ اللّهِ وَلَـكِن تَصْدِيقَ
الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ الْكِتَابِ لاَ رَيْبَ فِيهِ مِن رَّبّ الْعَالَمِينَ

“Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kuran është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve.” (Junus, 37)

وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِين وَلاَ يَزِيدُالظَّالِمِينَ إَلاَّخَسَاراً

“Ne të shpallim Kuranin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim." (El-Isra, 82)

آمَنُواْ وَهُدًى وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِينَ قُلْ نَزَّلَهُ رُوحُ الْقُدُسِ مِن رَّبِّكَ بِالْحَقِّ لِيُثَبِّتَ الَّذِينَ

Thuaj: “Atë (Kuranin) e solli “Ruhul Kudus”, Shpirti i Shenjtë, plot vërtetësi nga Zoti yt, për t’i përforcuar edhe më ata që besuan, dhe për të qenë udhërrëfyes e myzhde për muslimanët.” (Nahl, 102)

   Nga këto ajete kuranore shohim qartë se Allahu e ka zbritur dhe e ka ruajtur këtë Kuran, e ka veçuar atë nga librat e zbritur më herët për faktin se roli i tij në umetin islam është i një rëndësie të veçantë në çdo vend dhe kohë deri në Ditën e Kiametit.

Në shkrimin e ardhshëm inshallah në pika të shkurtra do të trajtohet tema Ç’është Kurani.

Përktheu: Musli Zymberi
21.12.2007

Search site