Imam Buhariu & Imam Muslimi

18/05/2008 13:13

Imam Buhariu & Imam Muslimi



Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm All-llahut subhanehu ue teala, Dhuruesit të gjitha të mirave, paqa dhe mëshira e Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë në mënyrën më të mirë. Prej begative më të mëdha që All-llahu subhanehu ue teala na ka dhuruar janë dijetarët e Islamit. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: "Dijetarët janë zëvendës të pejgamberëve".

Këtë po e shohim dita ditës dhe po bindemi edhe më tepër në fjalët e Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Çdoherë kur kemi nevojë për sqarim të diçkaje nga feja jonë patjetër duhet t'u kthehemi dijetarëve se ata e dijnë më së miri se çka është e mira dhe e kundërta e saj. All-llahu subhanehu ue teala na ka urdhëruar për këtë duke thënë: "Pyetni dijetarët për atë që nuk dini…" Prej ulemave më me peshë në historinë Islame është dijetari i njohur Imam Buhariu, i cili ka qenë njëri prej shkaqeve për t'u ruajtur Islami ashtu si ka zbritur.

Emri i tij i plotë është Ebu Abdil-lah Muhammed ibën Ismail ibën Ibrahim ibën Mugireh ibën Berdizbeh el-Xhu'fij el-Buhari. Eshtë bërë i njohur vetëm si Buhariu, e ky është emër i qytetit ku ka lindur, qytet që ishte prej qendrave të diturisë. Lindi më 13 Shevval të vitit 194 të Hixhrit ose 810 sipas Isaut alejhi selam. U rrit në shtëpi të ndershme dhe me plotë dituri, ngase i ati i tij ka qenë prej dijetarëve dhe prej transmetuesve të hadithit. Por vdiq duke qenë Buhariu ende i mitur. Filloi të kujdeset për të e ëma, e cila ishte grua e mirë dhe e devotshme.

Përmendet në disa libra se Buhariu në vegjëli kishte humbur pamjen, e ajo e luste All-llahun subhanehu ue teala shumë për t'ia kthyer pamjen, e shtoi aq shumë lutjen saqë pa në ëndërr Ibrahimin alejhis selam i cili i tha: All-llahu i ktheu pamjen birit tënd. Kur pa, me të vërtetë ishte ashtu. Nga ky rast mësojmë edhe rëndësinë e lutjes së sinqertë.

Filloi mësimin e tij nëpër dijetarët e vendit të tij dhe përparonte shumë shpejt, sidomos në shkencën e Hadithit. Në këtë kohë kishte dhjetë vjet ose më pak. Një ditë duke qenë te njëri prej dijetarëve që quhej ed-Dahili i cili duke përmendur një zinxhir të hadithit tha: "transmeton Sufjani nga Ebu Zubejri nga Ibrahimi", Buhariu i tha se Ebu Zubejri nuk ka transmetuar nga Ibrahimi. Ky filloi ta qortojë, por Buhariu i tha: "Shiko në libër", ai shikoi dhe pastaj i tha: "Më trego si është", dhe Buhariu i tregoi se ai nuk është Ebu Zubejri por Zubejri, dhe dijetari pa kurrfarë mendjemadhësie e pranoi gabimin dhe e përmirësoi atë që e kishte të shkruar. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare kishte mësuar përmendësh disa prej librave të hadithit. Në këtë moshë shkoi në haxh sëbashku me të ëmën dhe vëllain e tij, pas haxhxhit vendosi të qëndrojë në Meke për të përfituar pre j dijetarëve që gjinden aty, e më pas shkoi në Medine e aty shkroi librin et-Tarih (Historia), para këtij libri kishte përpiluar edhe libër tjetër "Kadajas sahabeti uet tabiin"(Çështje të sahabëve dhe tabiinëve). Këtë e kishte shkruar në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Udhëtimet e tij nëpër qendrat e diturisë u shtuan shumë, gjithë këtë e bënte për të kërkuar diturinë nga më shumë dijetarë. Prej vendeve që ka kërkuar dituri janë: Meke, Medine, Sham, Egjipt, Har-ran, Musil, Basra, Kufe, Bagdad, Hurasan, Irak etj. Udhëtimi i tij nëpër këto vende i bëri shumë dobi sepse ai ishte i zellshëm gjatë kërkimit të diturisë, meditonte çdoherë dhe e përsëriste atë që kishte mësuar.

Njëri prej nxënësve të tij tregon se njëherë ka qenë në shtëpinë e Buhariut rahimehull-llah dhe thotë: "Gjatë natës kam numruar se është ngritur nga shtrati më shumë se pesëmbëdhjetë herë, e ndizte qirinë dhe shkruante atë që përfitonte duke medituar rreth ajeteve dhe haditheve".

Dijetarët prej të cilëve përfitoi janë shumë, ngase kishte udhëtuar në shumë vende, ashtuqë ka dëgjuar dhe ka shkruar nga 1080 dijetarë. Këtë e ka arritur ngase herët filloi me kërkimin e diturisë. Nuk mundemi t'i përmendim as një numër të vogël prej dijetarëve të tij, por mund të përmendim se dijetarët më me ndikim tek ai kanë qenë: Ahmed ibën Hambeli, Is'hak ibën Rahujeh, Jahja ibën Mein dhe Alij ibën Medini.

Thotë Buhariu rahimehull-llah: "Nuk e kam ndier veten të vogël në dituri, pos kur kam qenë para Alij ibën Medinit", kur kjo fjalë iu transmetua Alijut, ai tha: "Lëreni atë që thotë ai, ai ende nuk ka takuar dikënd të ditur sikur që është ai vetë"(d.m.th. nuk ka më të ditur se Buhariu).

Prej nxënësve më të njohur të tij janë: Ebul Husejn, Muslim ibën Haxhxhaxh, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Hatem, Ebu Zur'ah, Ibën Huzejme dhe tjerë.

Është mirë të përmendim disa fjalë të dijetarëve që kanë folur për të, nëse dëshirojmë të mësojmë edhe më mirë vlerën që e ka ky dijetar i famshëm në Islam. Thotë Hani' ibën Nadhar: "Ishim njëherë te Muhamed ibën Jusuf në Sham, të gjithë ishim të rinj dhe dëfrehenim (me lojëra të të rinjve), ndërsa Buhariu nuk na shoqëronte në këto gjëra por i ishte dhënë pas diturisë".

Is'hak ibën Rahujeh thotë: "O ju njerëz, përfitoni nga ky djalosh, sepse po të kishte qenë ky djal edhe në kohën e Hasan el-Basriut, do të kishin pasur nevojë njerëzit për diturinë e tij".

Ibën Ebi Shejbe thotë: "Nuk kemi parë asnjëherë sikur Buhariu"

Ibnu Huzejme thotë: "Nën këtë Qiell nuk kam parë njeri më të ditur në hadith dhe me memori më të fortë se sa Muhammed ibën Ismail el-Buhari" Muslimi pas një polemike që kishte me Buhariun i tha: "Ty nuk të urren pos atij që është xheloz dhe dëshmoj se në këtë botë nuk ka sikur ti"

Buhariu rahimehull-llah ka qenë njeri i mençur, ka pasur memori të shpejtë dhe të fortë, nga memoria që kishte habitet çdo njeri, sa për ilustrim do të përmendin rastin e njohur që i ndodhi kur shkoi në Bagdad. Aty njerëzit kishin dëgjuar për Buhariun dhe memorin (hifdhin) që kishte, ashtuqë donin të binden në këtë. Vendosën të marrin dhjetë njerëz, secilit prej tyre t'ua japin nga dhjetë hadithe, por duke i përzier zinxhirin e çdo hadithi me tekstin e hadithit tjetër. Ashtu edhe bënë. Kur erdhi Buhariu, u mblodhën në një tubim dhe filloi i pari prej atyre të dhjetëve: "transmeton filani nga filani se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë kështu kështu" Buhariu tha: "Nuk e di", vazhdoi hadithin e dyte, të tretin, të katërtin, por Buhariu vazhdimisht thonte: "Nuk e di". Disa prej atyre që ishin prezent menduan se e mashtruan, por ata që ishin më të ditur në mesin e tyre thanë: "E kuptoi lojën tonë". Pasiqë mbaruan me të gjitha hadithet Buhariu rahimehull-llah u tha: "Ti, i pari hadithin e parë që e the kështu ai është kështu e kështu, hadithin e dytë…" kështuqë derisa të gjitha hadithet ua tregoi me rend se si janë, duke i bërë bashkë çdo hadith me zinxhirin e vet.

Dijetarët kanë thënë se nuk është çudi se i ka ditur hadithet saktësisht, çudi është se në moment i ka mësuar edhe hadithet që i kanë thënë ata, hadithet e përziera.

Nuk kemi pse të habitemi nga kjo kur e dimë se Buhariu rahimehull-llah ka thënë: "Nuk e kam përgojuar askënd prej kur e kam ditur se përgojimi është haram dhe nuk di se në pasurinë time ka diçka të dyshimtë (jo hallall)". Padyshim se largimi nga mëkatet të ndihmon në çdo gjë, dhe e kundërta me të kundërtën.

Librat që i ka përpiluar janë shumë, prej tyre mëtë njohura janë:

1. Sahihul Buhariu

2. el-Edebul Mufred

3. Tarihul Kebir (historia e madhe)

4. Tarihul Eusat (Historia e mesme)

5. Tarihus Sagir (Historia e vogël)

6. Kiraetu halfel imam (leximi pas imamit)

7. Ref'ul jedejni fis salah(ngritja e duarve në namaz).


Ka edhe shumë libra tjera, disa prej tyre janë të humbura, por libri me të cilin u bë i njohur si imam i fesë është Sahihul Buhariu, në të cilin ka përmbledhur hadithe të Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Të gjitha hadithet në këtë libër janë të vërteta. Dijetarët kanë thënë se libri më i vërtetë pas Kur'anit është libri i Buhariut rahimehull-llah.

Ky dijetar ndërroi jetë në vitin 256 të Hixhrit ose 870 sipas Isaut alejhi selam.

Kjo ishte shkurtimisht për jetën dhe veprën e Imam Buhariut, i cili duhet të jetë shembull për neve dhe duhet marrë mësim nga jeta dhe vepra e tij.

E lusim All-llahun subhanehu ue teala që këtë imam ta shpërblejë me xhennetul firdeus, dhe të na bashkojë edhe neve me të. Lutja ynë e fundit është se falënderimi i takon vetëm All-llahut subhanehu ue teala për të gjitha të mirat që na i ka dhënë.Amin
--------------------------------------------------------------------------
Imam Muslimi

Emri i plotë i tij:Quhet Ebul Husejn, Muslim ibën Haxhxhaxh ibën Muslim ibën Verd ibën Keushadh, nga fisi Kushajrij që banonte në Nejsabur. Autor i librit “Es-Sahih”, një prej Imameve të hadithit, Eth-Thikka (i besueshëm), El-Hafidh, El-Alim (dijetar) në lëminë e fikhut, El Huxhe (autoritet) në shkencën e hadithit.

Rrejdh prej fisit Kushajrij që ishin pasardhësit e Kushajr ibën K’ab ibën Rebi’a ibën Amir ibën S’asa. Ky fis është degë e fisit Hevazin prej Adnanijunë-ve dhe është i njohur me shumë dijetarë në mesin e tyre. (El-Lubab fi teh-dhibil ensab 3/37-38)

Imam Muslimi u lind dhe jetoi në qytetin Nejsabur një prej qyteteve më të bukur në krahinën Horasan.

Datëlindja:

Në fillim të shekullit tretë sipas kalendarit hixhrij, në kohën e artë të sunnetit, në vitin 204 h (sipas shumicës) në qytetin Nejsabur lindi Imam Muslimi. (El Bidaje ven-nihaje, 11/34)

Imam Muslimi jetoi një jetë të pasur sepse ishte tregtar i njohur një nga bamirësit e Nejsaburit. (Sijer, 12/570)

Udhëtimet e tij në kërkim të hadithit:

Imam Muslimi ishte prej dijetarëve që udhëtonin shumë në kërkim të hadithit për t'i shenuar.

Thotë Dhehebiu për herë të parë dëgjoi hadithe prej Jahja ibën Jahja Et-Temimiut në vitin 218 h pastaj në vitin 220 h udhëtoi për në haxhxh ku mësoi tek K’anabiu. Në Kufe dëgjoi hadithe prej Ahmed ibën Junusit dhe prej tjerëve. (Sijer, 12/558)

Në Horasan mësoi tek Is-hak ibën Rahavejhi, në Rejj shenoi hadithe prej Muhammed ibën Mihranit, Ebu Gassanit dhe tjerëve. Udhëtoi në Irak për të mësuar tek Ahmed ibën Hanbeli dhe Abdullah ibën Mesleme dhe në Hixhaz për të mësuar tek Se’id ibën Mensur dhe Ebu Mus’ab. Në Egjipt mësues të tij ishin Amër ibën Sevad, El-Lejth ibën S’ad, Harmele ibën Jahja dhe shumë tjerë. (Shedherat dheheb fi ahbari men dheheb, 2/144)

Mësuesit e tij:

Imam Muslimi pati fatin që të mërr dijën prej imameve më të njohur të kohës së tij. Ai mësoi tek Imam Ahmed ibën Hanbeli, Imam Is-hak ibën Rahavejh, Imam Se’id ibën Mensuri, Imam Darimiu, Imam El-Lejth ibën S’ad, Imam Uthman ibën Muhammed ibën Ebi Shejbe, Imam Ebu Zur'a Er-Razi dhe shumë tjerë. Imam Mizzi në librin e tij “Tehdhibul Kemal” (27/499) përmend me emër mbi 250 mësues të Imam Muslimit. Kur Imam Buhariu e vizitoi Nejsaburin Imam Muslim merrte pjesë në tubimin e tij së bashku me Imam Ebu Zur’an dhe Imam Ebu Hatimin.

Thotë Hatib Bagdadi: Muslimi ndoqi metodën e Buhariut në punën e tij. Është i njohur rasti të cilin na e rrëfen Ahmed Hamdun El Kassar kur Imam Muslimi erdhi tek Imam Buhariu e puthi në ballë dhe i tha: O mësuesi i mësuesve , më i zgjedhuri prej muhaddithinëve, mjek i hadithit dhe e pyeti për hadithin për fjalët që thuhen në fund të tubimit dhe kur Imam Buhariu u përgjigj Imam Muslimi tha:”nuk të urren ty kush përveç ziliqarit. Dëshmoj se nuk ka në botë njeri (dijetar) si ti. (Tarih Bagdad, 13/102)

Nxënësit e Imam Muslimit:

Numri i nxënësve që morrën dituri prej tij është gjithashtu i madh në mesin e tyre më të njohur janë:

Imam Tirmidhiu, Ibrahim ibën Is-hak Es-Sajrafij, Ahmed ibën Mubarek el Mustemli, Salih ibën Muhammed El Hafidh, Abdullah ibën Jahja Es-Serhasij El Kadi, Imam Ebu Bekr Muhammed ibën Is-hak ibën Huzejme, Imam Ebu Avane El Isfirainij dhe shumë tjerë.

Imam Mizzi në librin e tij “Tehdhibul Kemal” (27/503) përmend me emër mbi 65 nxënës të Imam Muslimit.

Disa nga fjalet e Imamëve për Imam Muslimin:

Egziston konsenzus të dijetarëve Islam për vendin e lartë të Imam Muslimit në mesin e dijetarëve. Veprimtaria e tij në lëminë e hadithit dhe fjalët e Imamëve flasin qartë për dhe gradën e lartë të cilën e arriti Imam Muslimi. Të dëgjojmë së bashku disa fjalë të dijetarëve:

Një ditë kur Imam Muslimi ishte duke kaluar në praninë e Is-hak ibën Mensurit ky i tha:”Nuk do të mungoje hajri në mesin e muslimanëve derisa je gjallë” (Tehdhibut-Tehdhib, 10/127)

Thotë Ebu Hatimi:”Muslimi ishte Thikka (i besueshëm) prej Hafidhëve të hadithit. (El Xherhu vet-T’adil, 8/182)

Muhammed ibën Beshshar ka thënë:”Në dynja janë katër Hafidha, Ebu Zur’a në Rejj, Abdull-llah Ed-Darimij në Samarkand, Muslimi në Nejsabur dhe Buhariu në Buhara”. (Tarih Bagdad, 2/16)

Ahmed ibën Seleme thotë: “Ebu Zur’a dhe Ebu Hatimi në njohjën e hadithit i jepnin përparësi Muslimit para shumë dijetarëve të kohës së tyre.” (Tarih Bagdad, 13/101)

Kur tek Is-sak ibën Rahavejhi u përmend Imam Muslim ai tha: “Kush është si ky burrë.” (Tarih Bagdad, 13/102)

Thotë Muhammed ibën Abdul Vehhab El Fera:”Muslimi ishte prej thesarëve të diturisë.” (Tehdhibut-Tehdhib, 10/127)

Thotë Ibën Ehremi:”Nga qyteti ynë kanë dalur tre dijetarë të hadithit: Muahmmed ibën Jahja, Ibrahim ibën Ebi Talib dhe Muslimi.” (Tehdhibut-Tehdhib,10/128).

Veprat e Imam Muslimit

1) Es-Sahih (e botuar shumë herë)

2) Kitabul Kuna vel Esma (dorëshkrim në bibliotekën Dhahirijje, Damask)

3) Kitabul mufredati vel Vuhdan (dorëshkrim, është botuar më herët në Akra, Indi)

4) Kitabut-Tabekat (dorëshkrim në bibliotekën private të Ahmed Eth-Thalith)

5) Rixhalu ‘Urve ibën Zubejr (dorëshkrim në bibliotekën Dhahirijje, Damask)

6) Kitabut-Temjiz (dorëshkrim në bibliotekën Dhahirijje, Damask)

Këto dorëshkrime nuk kan humbur kurse librat që vijojnë i ka përmendur Dhehebiu në “Tedhkiretul Huffadh”, 2/590 dhe “Sijer”, 12/579

7) El Xham’i ala Ebvab

8) El Musned El Kebir ala rixhal

9) El ‘Ilel

10) El Ekran

11) Sualat Ahmed ibën Hanbel

12) Amër ibën Shuajb

13) Intifa’ bi uhub siba’

14) Meshajih Malik

15) Meshajih Theurij

16) Meshajih Shu’be

17) Men lejse lehu il-la ravin vahid

18) Evladus-Sahabe

19) El Muhadramin

20) Efradush-Shamijjin (Mukadimetu muhakkik sherh Sahih Muslim li Nevevij 1/69-98)

Libri i tij (Sahih Muslim):

Libri më i njohur i tij është “Es-Sahih” të cilin e përpiloi si përgjijge kërkesës së një nxënësi i cili kërkoi prej tij të shenoi një libër në të cilin do të përmblehen vetëm hadithet e sakta (Sihah) dhe si pasojë e shumë librave që u përpiluan e që ishin përplotë me hadithe të dobëta dhe të shpikura.

Thotë Ibën Sallahi: Na është transmetuar se Imam Muslimi ka thënë:”E përpilova këtë libër dhe i zgjodha hadithet e tij prej 300 000 haditheve të cilët i kam dëgjuar” (Sijanetu Sahih Muslim, 67-68)

Ky libër konsiderohet si libër bazë në lëminë e hadithit dhe libër më i saktë pas librit “El Xhami’ Es-Sahih” të Imam Buhariut.

Sa vend të rëndësishëm ka ky libër shihet nga shumë komentimet e këtij libri dhe ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1) El Mufhim fi sherhi Muslim- Abdul Gafur ibën Ismail El Farisij

2) El Mu’lim fi sherhi Muslim – Abdullah El Mazirij El Malikij

3) Ikmalul Mu’lim bi fevaidi sherhi Sahih Muslim- El Kadi ‘Ijad El Jehsubij

4) Sherh Sahih Muslim- Amër ibën Uthman ibën Sallah

5) El Minhaxh fi sherhi Sahih Muslim ibën Haxhxhaxh- Ebu Zekerija Jahja ibën Sheref En-Nevevij

6) Ikmalu Ikmalil Mu’lim – ‘Isa ibën Mes’ud Ez-Zavavij

Numri i komentimeve të shkruara për Sahih Muslimin arrinë numrin prej 50 titujve nga ajo që unë pata mundësi ta hulumtoj (Tedvinus-Sunne En-Nebevijje, 129-130 të mësuesit tim D-r Muhammed ibën Matar Ez-Zehranij All-llahu e ruajtë).

Vdekja e Imam Muslimit

Për vdekjen e tij lidhet një rast i habitshëm nga i cili shihet se kur dijetarët janë thelluar në dituri kanë harruar se çfarë ndodhë përreth tyre.

Imam Ibën Kethiri kështu na e rrëfen këtë ndodhi:”U tubua Muslimi me disa njerëz për t’i përkujtuar hadithet. Një prej të pranishmive përmendi një hadith të cilin Imam Muslimi se kishte dëgjuar. Kur e dëgjoi këtë hadithdoli shpejt drejt shtëpisë, ndezi qirinë dhe filloi ti shfleton librat duke kërkuar hadithin në fjalë. Në praninë e tij ishte një shportë me hurma dhe ai filloi të han prej tyre. Tërë natën e kaloi duke e kërkuar hadithin dhe duke hangër prej hurmave në shportë ashtuqë e kishtë zbrazur shportën. Kur në mëngjes e gjeti hadithin sikur u kthjell dhe e pa se e kishta zbrazur shportën.

Pas kësaj ai u sëmuri dhe natën e diel me 25 Rexheb të vitit 261h ndëroi jetë. (El Bidaje ven-nihaje, 11/34)

All-llahu e mëshiroftë Imam Muslimin më mëshirën e tij të gjërë.
--------------------------------------------------------------------------
Ne lidhje me Bukharin po citoj disa thenie te tjera:

Imami i Ahlus-sunnahs Ahmed Ibn Hanbal r.a ka thënë: " Khurasani nuk ka nxjerrë asnjë si Muhamed Ibn Ismail".

Ibn Ebi Sheiba dhe Ibn Numajr kanë thënë: " Ne nuk kemi parë asnjë si Muhamed Ibn Ismail".

Ibn Huraith ka thënë: " Unë nuk di të kem parë ndonjë si ai (Bukhari), ishte sikur ai ishte krijuar vetëm për hadithet".

Ibn Khudheimah ka thënë: " Unë nuk kam parë nën këtë qiell asnjë që të ketë më tepër dije dhe memorje më të madhe rreth haditheve se Muhamed ibn Ismail".

Ibn Hamad ka thenë: " Muhamed Ibn Ismail është fakihu i këtij ymeti".

Thëniet e dijetarëve të hadithit rreth Bukharit r.a janë të pa numërta dhe madheshtore pa egzagjerim edhe pse ata që i thanë kanë po aq të drejtë të lavdërohen sa edhe ai. (Allahu i mëshiroftë se janë trashegimtaret më të mire të Rrasulit).

Imam Bukhari r.a ka thënë për Sahihun e tij: " E kompilova Sahihun tim për 16 vjet dhe zgjodha hadithet që kam permendur nga 600 000 hadithe dhe e bëra provë mes meje dhe Allahut".

Ai r.a thotë: " Kur shruaja (mblidhja) hadithe nuk veproja si të tjerët. Kur do merrja hadith nga dikush, e pyesja më parë për Emrin, kunijah-n, prajardhjen dhe si e kishte marrë ketë hadith dhe nëse ishte njeri me aftësi të saktë për të memorizuar. Nese jo, ateherë i kërkoja të nxirrte kopjen e shkruar të origjinalit të hadithit".

Muhamed El-Katan tha se dëgjoi bukharin të thotë: " Unë kam mbledhur me shkrim trasmetime hadithesh nga më teper se 1000 sheikhs dhe nga secili nga ata kam mbledhur të paktën 10 000 hadithe dhe asnjë nga keta hadithe nuk eshtë që të mos ia mbaj mend zinxhirin e trasmetimit".

Abu el-Azhar tha: " Ishin 400 studentë hadithesh në Samarkand dhe u bashkuan bashkë për një javë dhe u munduan të gjejnë tek Muhamed Ibn Ismail një gabim të vetem. Kështu që ata perzien zinxhiret e trasmetimit të Shamit me ato të Irakut dhe ato të Jemenit me ato të Mekës e Medinës, por nuk mundën të gjejne asnjë gabim tek Bukhari qoftë në zinxhiret e trasmetimit, qoftë në tekstet e haditheve".
 

Search site