Si të jetojmë me Kuranin? (Pjesa 1)

17/05/2008 23:09

 

Si të jetojmë me Kuranin? (Pjesa 1)

 

 

Cila ishte jeta e vërtetë e selefit (të parëve tanë të mirë) me Kuranin? Sa i kushtojmë ne sot rëndësi Kuranit në jetën tonë të përditshme? Përse është dobësuar pozita e Kuranit në jetën tonë? Përse u japim hapësirë shumë të madhe gazetave, revistave, mjeteve të informimit dhe aspak mësimit, leximit, nxënies përmendësh, studimit dhe meditimit të Kuranit? Përse ne muslimanët kemi ardhur sot në këtë dekadencë të paparë ndonjëherë ? A ka ndryshuar Kurani apo ne nuk jetojmë me Kuranin? Cilat janë kriteret që i ngrenë dhe i ulin popujt, që i bëjnë me autoritet apo të nënçmuar?
   Imam Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Omer ibnul Hattabi se i Dërguari Muhamed alejhi selam ka thënë: “Allahu i Madhërishëm disa popuj i ngre me Kuran, ndërsa disa të tjerë i bën të nënçmuar me të.” (Transmeton imam Muslimi, Ibnu Maxhe, Eddaremi). Ky hadith përfshin individin, popullin dhe umetin islam në tërësi. Kush nga këta e pranon Kuranin do të arrijë ngritjen dhe autoritetin e lartë e kush ia kthen shpinën atij, do të dënohet me ulje dhe nënçmim.
   Me këtë vlerësim pejgamberik për Kuranin është njohur selefi për vendin dhe pozitën që i dha Kuranit. Kurani ishte qëllimi kryesor në jetën e tyre, duke e lexuar, duke e mësuar, duke ua mësuar të tjerëve dhe duke e jetësuar atë në të njëjtën kohë në jetën e tyre private dhe kolektive. Të vegjlit rriteshin me Kuran, familja edukohej në frymën e Kuranit, kërkimi i diturisë fillonte me të mësuarit dhe nxënien përmendsh të Kuranit. Themeli i të gjitha shkollave ishte Kurani, nëpër xhamitë e tyre kudo dëgjohej leximi i Kuranit. Ibadetet, namazet, ndejat, bisedat, shpërnguljet, xhihadi dhe çlirimi i shumë vendeve nga ana e tyre ishin të frymëzuara nga Kurani.
   Gjithashtu, dispozitat ligjore, çështjet e ndryshme dhe raportet në mes tyre dhe me të tjerët buronin nga Kurani. Umeti islam ngrihej dhe avanconte me këtë Kuran sepse jetohej dhe vdisej me Kuran.

1- Transmeton Ebu Musa el Esh’ariu, se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “I njoh zërat shoqërues të Esh’aritëve kur hyjnë gjatë natës në shtëpitë e tyre dhe i di shtëpitë e tyre prej zërave që i ngrenë natën duke lexuar Kuranin, edhe pse nuk i kam parë shtëpitë e tyre kur ata kanë hyrë në to gjatë ditës.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

2-Transmeton ibnul Mubareku dhe Vekiu në Zuhd, se Ahues Elxhushemi ka thënë: “Kur vinte ndokush natën dhe kalonte pranë ndonjë grupi njerëzish, dëgjonte zërat e tyre duke e lexuar Kuranin. Ata zëra u ngjanin shushurimave të bletëve (nga zërat e shumtë) dhe thoshte: “Si është puna e këtyre që e ndiejnë veten shumë të sigurt dhe nuk dinë se ç’është frika?” Kjo ishte gjendja e selefit me Kuranin dhe për këtë janë ndier shumë të sigurt dhe aspak të frikësuar. Abdullah ibnu Mes’udi ka thënë: “Kurani është fortifikatë e Allahut; kush hyn në të (ecën pas porosive të tij, punon me të), është i sigurt.”

3-Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin si porosi nga Zoti i tyre, e studionin dhe meditonin për të gjatë natës dhe e praktikonin gjatë ditës.” Kështu, Kurani është adhurim, përkujtim i Krijuesit, që së bashku me meditimin dhe të kuptuarit e tij pason praktikimi dhe të punuarit me të.

4- Bartësi i Kuranit në esencë është bartësi i flamurit islam, bartës në çdo çështje që ka nevojë ky flamur, si: vendosmëria, forca, puna sistematike dhe zemërgjerësia.
Fudajl ibnu Ajjadi, Allahu e mëshiroftë, për bartësin e Kuranit është shprehur: “Bartësi i Kuranit është bartës i flamurit islam, prandaj si shenjë respekti për Kuranin nuk i takon atij që të rrijë apo të ulet me atë që zbavitet, me të marrin dhe me atë që flet fjalë boshe dhe të padobishme.”

5- Një prej tabiinëve, Ebu Haxhib el Basri, ishte gjykatës në atë kohë dhe i shquar për devotshmërinë e tij të rrallë. Behz Ibnu Hakimi tregon se si ka vdekur Ebu Haxhib el Basri.
“Në një namaz të sabahut Ebu Haxhibi u ka prirë njerëzve në faljen e namazit në Xhaminë e Beni Kushajrve. Ai ka lexuar nga Kurani deri kur ka arritur tek fjala e Allahut Dhul Xhelal:

فَإِذَا نُقِرَ فِي النَّاقُورِ فَذَلِكَ يَوْمَئِذٍ يَوْمٌ عَسِيرٌ

“Dhe kur të tingëllojë Suri (t’i fryhet për herë të dytë), vërtet që ajo Ditë do të jetë Ditë e Vështirë.” (El-Muddethir 8-9). Pasi ka mbaruar së kënduari këto dy ajete, ka rënë përtokë i vdekur.” Thotë Behz Ibnu Hakimi: “Kam qenë prej atyre që e kanë bartur deri te varri.”
   Pra, Kurani ishte objektivi kryesor në jetën e selefit. Asnjë shkencë nuk vihej para studimit dhe mësimit të Kuranit. Ai që e pranonte Islamin, fillimisht i përvishej mësimit të Kuranit. Delegacionet që vinin tek i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam, mësonin dhe merrnin atë që mundnin nga Kurani. Dallimi në aftësitë e tyre vërehej me njohjen, studimin dhe nxënien përmendsh të Kuranit.
   Këshilltarët kryesorë të udhëheqësit të muslimanëve, Omer ibnul Hattabit kanë qenë lexuesit e Kuranit, në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibnu Abbasi, pasi dallohej për njohjen e thellë të Kuranit, edhe pse ishte në moshë të re.
   Hivzi apo nxënia përmendsh e Kuranit ishte ngritja e parë arsimore për të vegjlit. Marrja e mësimeve nga dijetarët fillonte me mësimin e Kuranit nga kërkuesit e dijes dhe nëse dikush nuk fillonte me Kuranin, ishte e meta më e madhe për atë kërkues të diturisë.
Përfundimi i tërë kësaj është se mësimet dhe studimet në umetin e atëhershëm islam mbështeteshin në Kuran, në komentimin dhe në shkencat e tij. Kjo ishte jeta e selefit me Kuranin e ne na mbetet ta krahasojmë atë me jetën që bën sot umeti islam në kohën tonë bashkëkohore.
 

Vazhdon
Përktheu: Musli Zymberi
11.1.2008

Search site