Rregullat e mirësjelljes në Bajram

22/05/2008 14:16

Rregullat e mirësjelljes në Bajram

 

Të dy bajramet, Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, janë momente feste të përbashkëta për të gjitha kombet. Festat e mosbesimtarëve janë të lidhura me çështje materiale, siç është lindja e një kombi apo fundi i tij, sundimi apo kurorëzimi i një sunduesi, martesa e tij, apo fillimi i një sezoni siç është pranvera e kështu me radhë. Kurse te muslimanët, festat janë të lidhura me ritet e tyre fetare. Ata kanë vetëm dy festa apo bajrame: Bajrami i Fitrit (festimi për përfundimin e Ramazanit) dhe Bajrami i Kurbanit (festa e sakrificës).
Kur Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) shkoi në Medinë i gjeti njerëzit aty duke festuar dy ditë, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Çfarë janë këto dy ngjarje”? Ata thanë: “Ne i festonim këto në xhahilijet (në injorancë, para Islamit).” Ai, Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu i ka zëvendësuar ato dy ditë me dy ditë më të mira (që janë Bajrami i Fitrit dhe i Kurbanit).” Këto dy festa, me të cilat Allahu i Madhëruar i ka porositur muslimanët, janë pjesë të ritualeve islame, të cilat duhet që të festohen dhe qëllimet e të cilave duhet të kuptohen.


Rregullat që lidhen me Bajramin

1. Është e ndaluar të agjërohet në të dy ditët e Bajrameve, siç kuptohet edhe nga hadithi që na ka transmetuar Ebu Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e ka ndaluar që të agjërojmë në ditët e Bajrameve.

2. Rekomandohet që meshkuj e femra të shkojnë të falin namazin e Bajramit, siç na ka transmetuar Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e cila ka thënë: “Kemi qenë të mësuara që të dalim në ditën e Bajramit, e madje i merrnim edhe vajzat e pamartuara dhe gratë me menstruacione, ashtu që ato qëndronin prapa burrave dhe i këndonin tekbiret me ta, me shpresë për bekimet e asaj dite për pastrim nga mëkatet.” Përderisa gratë me menstruacione dhe vajzat beqare kanë qenë të urdhëruara për të falur namazin e Bajramit, nuk ka dyshim që për meshkujt, të vjetër apo të rinj qofshin, janë të detyruar edhe më tepër që ta falin namazin e Bajramit.

3. Namazi i Bajramit duhet të falet para hytbes së Bajramit, siç na është konfirmuar në hadith nga Ibn Amri, Ebu Saidi dhe Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me gjithë këta!)

4. Rekomandohet që imami t’i marrë tekbiret (Allahu Ekber) gjatë namazit, shtatë herë në rekatin e parë dhe pesë herë në të dytin. Kështu është konfirmuar prej të parëve tanë të drejtë (selefët).

5. Rekomandohet që imami të recitojë në rekatin e parë suren El Aëla (surja 87) dhe suren El Gashijeh (surja 88) në rekatin e dytë. Të tjerët transmetojnë që Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka recituar surën Kaf (surja 50) dhe suren El Kamer (surja 54), siç konfirmohet në Sahihun e Muslimit.

6. Nuk ka namaz synet para namazit të Bajramit apo pas tij, siç tregon Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) kur ka shkuar të falë namazin e Bajramit, i ka falur dy rekate (të Bajramit) e asgjë as para e as mbrapa këtyre dy rekateve.

Përgatiti: Osman D. Gashi

Search site