Rregulla të hollësishme mbi Akiden e Ehli-Sunetit

18/05/2008 20:19

 

 

Rregulla të hollësishme mbi Akiden e Ehli-Sunetit


1. AKIDEJA NË EMRAT DHE CILËSITË E ALLAHUT

Pohimi i çdo gjëje që Allahu e ka pohuar për Veten e Tij, apo e ka pohuar për Te i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, si dhe mohimi i çdo gjëje që Allahu e ka mohuar nga Vetja e Tij, apo e ka mohuar nga Ai i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, e të gjitha këto pa i përngjarë me ato të krijesave, pa pyetur (si?), pa i shëmbëllyer, pa i devijuar, pa i komentuar dhe pa ia yhveshur Allahut ato që ka pohuar për Veten e Tij.
Thotë Allahu i Lartësuar:
"Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është Gjithëdegjuesi, Gjithëshikuesi." (Esh-Shura 11)

Allahu i Lartëesuar e ka cilësuar Veten e Tij dhe e ka cilësuar Atë i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, se Ai është Dëgjues, Shikues, i Ditur, Flet, i Gjallë, i Mundshëm, Dëshiron, qëndron mbi Arsh, është mbi krijesat e Tij, Ai kënaqet, mërzitet, nxehet, do dhe urren, vjen, zbret, qesh, pëlqen etj. Të gjitha këto në mënyrën që i përshtatet Lartësisë dhe Madhështisë së Tij, pa i përngjarë kurrë krijesave të Tij.
Ashtu si e ka cilësuar Veten e Tij Allahu i Lartësuar dhe e ka cilësuar Atë i Derguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, se Ai ka Nefs-Vete të Tijen, ka fytyrë, Dorë, Sy e të tjera cilësi që kanë ardhur në Kur’an dhe në Hadithet e sakta.
Pra, pasuesit e Sunetit e cilësojnë Allahun me ato cilësi që Ai e ka cilësuar Veten e Tij dhe me të cilat e ka cilësuar Atë i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, pa shëmbëllim, pa përngjasim, pa pyetur (si?), pa e zveshur prej tyre (duke i mohuar ato ) dhe pa i komentuar.

2. AKIDEJA NË ÇËSHTJET E IMANIT DHE E TË GJITHA GJËRAVE TË FSHEHTA

E prej këtyre:
Së pari: Prej bazave të Ehli Sunetit është se Imani është fjalë dhe punë, shtohet dhe pakësohet. Dhe përfshin:
Besimin në çdo gjë për të cilën na ka njoftuar Allahu në Librin e Tij dhe që ka njoftuar i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, prej gjërave të fshehta e të dukshme, përgjithësisht e hollësisht. Dhe prej këtyre:

a) Besimi në Allahun e Lartësuar dhe Njësimi i Tij në Rububije-krijim, furnizim, e sistemim, në Uluhije-adhurim dhe në Esmai ve Sifat-Emrat dhe Cilësitë.

b) Besimi në Engjëjt dhe se ata janë robër të ndershëm të Allahut. Ata nuk e kundërshtojnë Allahun në ato që i urdhëron dhe bëjnë çdo gjë me të cilën urdhëron. Ata janë të ngarkuar me adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe ka prej tyre që kanë edhe detyra të tjera siç është zbritja e Shpalljes, shkruajtja e punëve të njerëzve, shkruajtja e caktimeve të njerëzve, marrja e shpirtrave, ndihma e besimtarëve, lëvizja e reve, zbritja e shiut, mbartja e Arshit të Allahut të Lartësuar etj.

c) Besimi në Librat e zbritura nga Allahu tek të Dërguarit e Tij për udhëzimin e njerëzve. Këto libra janë: Zeburi, Teurati, Inxhili dhe Kur’ani i Ndershëm i cili është më i plotë se të parat dhe fshirës e zëvendës i tyre.

d) Besimi në të gjithë të Dërguarit e Allahut dhe për ata që janë përmendur në Kur’an dhe Hadithe të sakta është detyrë që të besohen me hollësitë me të cilat janë përmendur dhe se ata e kanë plotësuar shpalljen e mesazhave të Allahut, kanë thirrur njerëzit në Njësimin e Tij dhe ua kanë tërhequr vërejtjen nga idhujtaria.
Thotë Allahu i Lartësuar: "Dhe me të vërtetë që Ne kemi çuar te çdo popull të dërguar (duke shpallur), Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni e i rrini larg taggutit- çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut!" (En-Nahl, 36)

e) Besimi në Ditën e Fundit dhe se vdekja është e vërtetë. Besimi në begatinë në varr dhe dënimi në të. Besimi në ringjalljen, fryerjen e SURIT, në shfaqjen para zjarrit, në llogarinë dhe shpërblimin, në librat e punëve dhe në peshoren, besimi në urën e Siratit, në Haudin- liqenin e të Dërguarit, sal-allahu alejhi ve sel-lem, në Xhenetin e begatinë dhe në Xhehenemin e dënimin e tij. Besojmë në Ditën e Kiametit dhe shenjat e tij prej të cilave janë: dalja e Dexhalit, zbritja e Isait (alejhis-selam), dalja e Mehdiut dhe e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, lindja e djellit nga perëndimi i tij, dalja e kafshës së tokës që flet e gjëra të tjera që janë përmendur në Kur’an e Sunet.

f) Besimi në caktimin e mirë apo i keq është prej Allahut të Lartësuar dhe se Allahu e ka ditur çdo gjë para se të ndodhë dhe Ai e ka krijuar çdo gjë që ekziston. Besimi se Ai i ka caktuar rrisqet dhe moshat e njerëzve, lumturinë dhe vuajtjen, udhëzimin dhe humbjen. Besimi se Allahu i Lartësuar bën çtë dojë dhe se Ai i ka marrë besën bijve të Ademit dhe i dëshmoi ata mbi vetën e tyre se Ai është Zoti i tyre.


Së dyti: Kur’ani
Prej bazave të Ehli Sunetit është se Kur’ani i ndershëm është Fjala e Allahut, i zbritur nga Allahu dhe nuk është i krijuar, ai që pretendon se ai është krijuar ka dalë nga Islami.

Së treti: Shikimi tek Allahu
Besojmë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre me sytë e tyre në Ditën e Gjykimit pa pyetur se si do ta shohim dhe pa përfshirë Atë me shikimin e tyre.

Së katërti: Ndërmjetësimi
Besojmë në të gjitha ndërmjetësimet që janë përmendur në Kur’an dhe Sunet sipas kushteve të tyre (ndërmjetësimeve) në diten e Kiametit. Dhe më i madh i këtyre është ndërmjetësimi i madh i Muhamedit, sal-allahu alejhi ve sel-lem, për të gjitha krijesat në Ditën e Gjykimit, pastaj ndërmjetësimi i tij për ata që kanë bërë gjunahe të mëdha prej popullit të tij e ndërmjetësime të tjera të tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, e të tjerëve përveç tij prej engjëjve, pejgamberëve, besimtarëve e të tjerë, për të cilat jemi lajmruar në Hadithe të sakta.

Së pesti: El-Isra’ dhe El-Mi’raxh
El-Isra’ është mbartja e Muhamedit, sal-allahu alejhi ve sel-lem, deri në Shtëpinë e Shenjtë të Kudsit dhe El-Mi’raxh është ngritja e tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, deri në qiellin e shtatë dhe tek pema Sidratul-Munteha. Dhe kjo është pohuar në tekstet Kur’anore dhe Hadithet e sakta.

3. AKIDEJA (BINDJA) NË LIDHJE ME BAZAT DHE RREGULLAAT E TJERA TË BESIMIT

Së pari: Prej bazave të fesë tek Ehli Suneti është dashuria e të Dërguarit të Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem, deri sa të jetë më i dashur tek ti se vetja jote, fëmija yt e të gjithë njerëzit mbarë. Pastaj dashuria për shokët e tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, dhe gratë e tij të cilat janë nënat e besimtarëve e bërja lutje për ta duke thënë (radijallahu anhum)- Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Bindja se ata janë më të mirët e popullit musliman në të gjitha kohërat, mbajtja e gjuhës në grindjet që ndodhën ndërmjet tyre dhe se urrejtja dhe të folurit keq për ndonjërin prej tyre është humbje, errësirë dhe hipokrizi. Ndërsa më të mirët prej tyre (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre të gjithëve) është Ebu Bekri pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu pastaj dhjetë të përgëzuarit me Xhenet. Prej besimit të Ehli Sunetit është gjithashtu dashuria për familjen dhe të afërmit e të të Dërguarit të Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem, të folurit mirë për ta dhe ruajtja e të drejtave të tyre ashtu si ka urdhëruar i Derguari i Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem.

Së dyti: Largimi prej pasuesëve të bidatit, hipokrizisë, dëshirave dhe logjikës, urrejtja e tyre dhe tërheqja e vërejtjes prej tyre, siç janë Rafiditë, Xhehmitë, Mu’tezilet, Kaderitë, Murxhiet, Sufitë, filozofët e të gjitha grupet dhe ideologjitë(Këtu hyjnë të gjitha ideologjitë e drejtimet e reja filozofike siç janë: komunizmi, kadjanizmi, behaizmi, babizmi, socializmi, ilmanizmi, ringjallja e të gjitha atdhetarizmat të cilat ndërtohen mbi emocionet) të cilat kanë devijuar prej Sunetit dhe Xhematit.

Së treti: Shtrëngimi për xhematin(Kur’an dhe Sunet) dhe bashkimi e kapja për Litarin e Allahut: Kur’anin dhe Sunetin, ndërsa ndarja prej pasuesëve të së vërtetës është parregullsi, shkatërrim e humbje. Thotë Allahu i Lartësuar:
"Dhe kapuni të gjithë ju për Litarin e Allahut dhe mos u përçani!" (Al-Imran, 103)

Së katërti: Obligueshmëria e dëgjimit dhe bindjes ndaj udhëheqësve të muslimanëve në punë të mira e të lejuara përderisa nuk urdhërojnë për gjëra të ndaluara. Dhe nuk lejohet kryengritja ndaj tyre edhe nëse ata janë vepërkëqinj e zullumqarë, vetëm nëse shfaqet prej tyre kufër i qartë pa dyshim në të.

Së pesti: Obligueshmëria e këshillës për Allahun, për të Dërguarin e Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, e pastaj për prijësat e besimtarëve (të cilët janë përgjegjësit e punëve prej udhëheqësave të dijetarëve) dhe të gjithë popullin.

Së gjashti: Xhihadi përkrah prijësit e besimtarëve qoftë ai vepërmirë apo vepërkeq sepse xhihadi është prej shenjave të Fesë dhe kulmi më i lartë i Islamit i cili është ngritur deri në Ditën e Kiametit.

Së shtati: Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është prej bazave të Fesë dhe prej të shenjtave më dë mëdha të Islamit e ai është detyrë e çdokujt sipas mundësisë.

Së teti: Rregullat ndaj muslimanëve dhe të drejtat e tyre:

1. Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falet si falja jonë, i drejtohet Kiblës sonë dhe shfaq shenjat e Islamit, ai është musliman dhe i takon ajo e drejtë që i takon muslimanëve e ngarkohet me detyrat që janë ngarkuar muslimanët. Bëhet harram marrja e gjakut të tij, pasurisë dhe nderit të tij e llogaria e tij është tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa provokimi i atij që nuk dihet gjendja e tij dhe mendimi keq për të apo të stepurit nga quajtja e tij musliman është bidat dhe fjalë pa dije në fe.

2. Nuk lejohet të quajturit qafir askënd prej atyre që kthehen nga Kibla në faljen e tyre për shkak të një gjunahi që ai bën vetëm nësë është shprehur në Kur’an apo Sunet që ai është qafir dhe vetëm pasi që ti ngrihet atij argumenti (ti bëhet e qartë çështja) dhe të mohohen prej tij nën efektin e dhunës, padituria e tij apo të komentuarit gabim të teksteve. Ashtu si dhe nuk lejohet dyshimi në mosbesimin e atyre për të cilët ka gjykuar me mosbesim Allahu dhe i Dërguari i Tij, sal-allahu alejhi ve sel-lem, prej idhujtarëve, çifutëve, të krishterëve etj.

3. Nuk e themi prerë për askënd se ai do të shkojë në Xhenet apo në Zjarr vetëm se për atë që ka dëshmuar i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem.

4. Ai që bën gjunah të madh në këtë botë dhe nuk pendohet prej tij është mëkatar dhe i prishur, ndërsa në botën tjetër është nën dëshirën e Allahut, nëse do e dënon atë e nëse do ia fal atij dhe ai nuk do të jetë përgjithmonë në Zjarr. Ne shpresojmë Xhenetin për veprimin dhe i frikësohemi Zjarrit për vepërkeqin.

5. Prej bazave të Ehli Sunetit është falja pas imamëve të muslimanëve (në namaz) qofshin ata vepërmirë apo vepërkëqinj, Xhihadi përkrah tyre dhe falja (e xhenazesë) mbi ata që vdesin muslimanë prej atyre që kthehen nga Kibla qofshin ata vepërmirë apo vepërkëqinj.

6. Detyra e të dashurit për hir të Allahut dhe e të urrejturit për hir të Tij. Prej kësaj është dashuria për besimtarët dhe pastrimi prej idhujtarëve, mosbesimtarëve dhe hipokritëve. Dhe çdo musliman duhet sipas shkallës së besimit që ai ka dhe shkallën e ndjekjes së të Dërguarit të Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem, dhe urrehet sipas shkallës së gjunaheve dhe veprave të tija të këqija.

7. Kerametet e të dashurve të Allahut (gjërat e jashtëzakonshme që jep Allahu në duart e tyre) janë diçka e vërtetë, por jo çdo kerameh është argument për suksesin e personit dhe mirësinë e tij vetëm nëse ecën sipas udhëzimit të të Dërguarit të Allahut, sal-allahu alejhi ve sel-lem, si nga ana e jashtme ashtu edhe nga zemra. Por kerameti mund të jetë edhe sprovë dhe jo çdo gjë që del nga ajo e zakonshmja është kerameh e Allahu e di më mirë.


Libri: Ehli Suneti – Besimi dhe Rruga
Autori: Dr. Nasir bin Abdul Kerim El-Akl
Pergaditi: Kuds
Për: Forum-Islamik.com

Search site