Porosi nga të parët dhe të fundit
Porosi nga të parët dhe të fundit
Ka thënë dijetari i njohur Muhamed ibn Uthejmin, Allahu e mëshiroftë: “Transmetohet prej Omer ibn Hatabit se ka lënë një fjalë shumë shumë të dobishme: “Kush punon një punë e në të ka bereqet, le ta vazhdojë atë.”
Kjo do të thotë se nëse një njeri punon një punë (vepër), sado të madhe apo të vogël, mirëpo Allahu i ka dhënë bereqet (të mira) në atë punë, ai duhet të vazhdojë dhe ta punojë atë.
Ka thënë Malik ibn Dinari: “Me një njeri që ulesh dhe nuk përfiton diçka prej tij, largohu nga ai pa marrë parasysh se kush është.”
Ka thënë Abid Ahmed ibn Harbi: “E kam adhuruar Allahun pesëdhjetë vite e nuk kam mundur ta shijoj ëmbëlsirën e adhurimit përderisa i lashë tri gjëra:
• kur lashë kënaqësinë e njerëzve, shijova ëmbëlsirën e të shprehurit dhe të thënies së hakut (të vërtetës);
• kur lashë shoqërimin e njerëzve të këqij, gjeta shoqërinë e mirë edukuese;
• kur lashë kënaqësinë e kësaj bote, gjeta ëmbëlsirën e ahiretit.
Ka thënë Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Kur ta kujtosh vdekjen, radhite veten prej të parëve.”
Ka thënë Ebu Sulejman ed-Daranij: “Kush merret me vetveten e tij nuk ka kohë të merret me të tjerët.”
Ka thënë Imam Ahmed ibn Hanbeli: “Nëse dëshiron që Allahu të të japë atë që ti dëshiron, vepro atë që Ai kërkon.”
Është pyetur Ahmed ibn Hanbeli: “Sa është larg Arshi i Allahut prej nesh?” Tha: “Një dua e sinqertë nga një zemër e sinqertë!”
Përktheu: Eroll Rexhepi
18.4.2008