Mbulesa Islame

25/05/2008 06:36

 

Mbulesa Islame

 

I drejtohem çdo muslimanit dhe muslimanes të cilëve ju intereson haku (e vërteta), me të cilin All-llahu subhanehu ue teala na ka obliguar të punojmë. Në këtë shkrim modest kemi për qëllim që t'i forcojmë nënat, motrat, gratë dhe bijat tona në ruajtjen e nderit…

Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm All-llahut, Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë që të na mbrojë prej sherrit dhe punëve të këqija. Kë e udhëzon All-llahu nuk ka kush e lajthit dhe kë e humb All-llahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos All-llahut, I Cili nuk ka ortak dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Fjala më e mirë është fjala e All-llahut subhanehu ue teala dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, punët më të këqija janë ato të shpikurat në fe, çdo punë e shpikur është bidat, çdo bidat është dalalet dhe çdo dalalet të çon në xhehennem.

I drejtohem çdo muslimanit dhe muslimanes të cilëve ju intereson haku (e vërteta), me të cilin All-llahu subhanehu ue teala na ka obliguar të punojmë. Në këtë shkrim modest kemi për qëllim që t'i forcojmë nënat, motrat, gratë dhe bijat tona në ruajtjen e nderit, të largohen nga thirrjet e perëndimorëve në poshtërsi dhe amoralitet, të cilët e kanë parë se Islamin i cili është ruajtur 14 shekuj të plotë nuk munden ta luftojnë me forcë. Mu edhe për këtë mundohen çdo ditë të zbulojnë metoda të ndryshme për luftimin e Islamit. Prej metodave të tyre është edhe ajo se ata dëshirojnë ta bashkojnë hakun me batilin, të mirën me të keqen, sunnetin me bidatin, apo atë që i përmbahet sunnetit me atë i cili është bidatxhi, bile më e rrezikshmja është se ata dëshirojnë ta përzijnë Kur'anin me librat tjera të cilat janë te deroguara, bile tani edhe të falsifikuara. Dëshirojnë të bashkojnë xhaminë me kishën, muslimanin me kafirin, dëshirojnë të jetë një fe. E kjo nuk do të ndodhë asnjëherë.

Në njërin prej aspekteve në të cilin punojnë më së shumti është thirrja e tyre që gruaja muslimane të bëhet si gratë e tyre, "E barabartë" me burrin. Koncentrimi më i madh i tyre në këtë thirrje është që gruaja ta zbulojë trupin e saj pa marrë parasysh para kujt, të punësohet në një vend me burrat, të marrë pjesë në çdo vend ku është edhe burri, etj. Për fat të keq, shumë muslimanë i kanë pranuar këto thirrje.

Muslimani i vërtetë të gjitha këto i refuzon, ngase e di se Krijuesi i tij është All-llahu subhanehu ue teala I Cili nuk e ka krijuar për kot, nuk e ka krijuar që të jetojë si kafshët, por i ka dhënë mend dhe ia ka dërguar fenë që të dijë se si të veprojë në këtë botë. Muslimani e di se të gjithë kafirat (të pafetë) nuk vlejnë as sa kafsha, ngase për këtë i ka treguar Krijuesi i të gjitha krijesave, i njerëzve dhe kafshëve, i muslimanëve dhe i kafirave, ku thotë: "Mos vallë mendon se shumica e tyre (kafirave) dëgjojnë ose kuptojnë?Ata nuk janë veçse si bagëti- jo, ata janë edhe më të humbur" (Furkan 44). Njeriu i mençur nuk pranon asnjë mendim prej kafshëve (nëse ka mundësi kjo), e ku më prej dikujt që është më poshtë se kafsha?!

E lus All-llahun subhanehu ue teala që t'i mbrojë të gjithë muslimanët prej thirrjeve të këtilla, dhe t'i forcojë në fenë islame me dituri dhe praktikë të çdo gjëje bile edhe gjërat më të imta.

Mendoj se shumica e muslimanëve janë të njohur me këto gjëra dhe dinë se si të veprojnë. Mirëpo, mirë është që t'i përmendim disa argumente prej Kur'anit dhe sunnetit të vërtetë që tregojnë se mbulesa Islame për gruan është farz (obligim i domosdoshëm) dhe t'i tregojmë gruas muslimane se ajo është në rrugë të drejtë dhe nën ndihmën dhe mëshirën e All-llahut subhanehu ue teala.

Ne e dimë fort mirë se ne jemi të urdhëruar që pas Kur'anit dhe Sunnetit të pasojmë rrugën e sahabeve. Ajo është rruga më e mire dhe sqarimi më i mire i sheriatit islam (Kur'anit dhe Sunnetit). Sa i përket veprës së grave besimtare për këtë çështje (mbulesën), dihet fort mirë se ato kanë qëndruar në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë dalur përveç kur e kanë pasur të patjetërsueshme. Ato para burrave të huaj kanë dalë me mbulesë, duke e pasur edhe fytyrën e mbuluar, duke mos zbuluar gjë prej stolive të tyre e ku më diçka prej trupit të tyre. Shumica e muslimanëve janë të një mendimi për këtë çështje. Gjendja e grave besimtare nëpër të gjitha vendet Islame vazhdoi kështu derisa nuk filluan të mashtrohen me thirrjet e punëtorëve të shejtanit të mallkuar. Kështuqë kah mesi i shekullit XIV hixhrij filloi heqja e mbulesës prej fytyre. Për herë të parë në Egjipt, pastaj në Turqi, Siri, Irak, Maroko kështuqë i kaploi shumicën e vendeve Islame. Ngase k[ta të mallkuar e dinin se turpi i femrës është te fytyra e saj, e nëse prej fytyrës largohet turpi atëherë lehte do ta kenë për gjërat tjera. Ashtu edhe ndodhi, kjo heqje e mbulesës nga fytyra, pas një kohe të shkurtër "përparoi", në atë mënyrë që e arriti kulmin e lakuriqësisë, zbulimin e plotë të trupit të femrës, All-llahu na ruajt nga çdo e keqe.

Prej argumenteve më të njohura për atë se mbulimi i fytyrës është i obligueshëm për gratë besimtare janë këto:

Argumenti i parë: (që tregon se mbulesa është farz) Thotë All-llahu subhanehu ue teala në suren el-Ahzab 32-33: "O gratë e Pejgamberit! Ju nuk jeni si çdo grua tjetër. Nëse ju i keni frikë All-llahut, atëherë mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura. Rrini në shtëpitë e juaja e mos shfaqni bukuritë tuaja ashtu si shfaqej në kohën e xhahilijetit (injorancës), falni namazin, jepni zeqatin dhe respektoni All-llahun dhe të Dërguarin e Tij". Në këtë ajet All-llahu subhanehu ue teala u drejtohet grave të Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem dhe grave të besimtarëve në përgjithësi, ndërsa i ka përmendur vetëm gratë e Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem për shkak të vendit të lartë që posedojnë ato në Islam dhe për shkak se ato janë shembëlltyrë për gratë tjera besimtare. Dihet se gratë e Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem kanë qenë gratë më të ndershme dhe do të jenë përgjithmonë, por All-llahu subhanehu ue teala u është drejtuar atyre që të kuptojnë edhe gratë tjera, sepse ato gra nuk janë sikurse gratë e Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.

Argumenti i dytë: Thotë All-llahu subhanehu ue teala në ajetet 53-55 të sures el-Ahzab: "…dhe kur ju i pyetni (gratë e Resulull-llahut) për ndonjë send, atëherë pyetini ato pas perdes, kjo është më pastër për zemrat e juaja dhe të tyre. Juve nuk ju takon që ta mundoni të Dërguarin e All-llahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Këto tek All-llahu janë mëkat i madh. E shprehët ju ndonjë send apo e fshehët atë, s'ka dyshim se All-llahu çdo send e di. Nuk është mëkat për ato (gratë të jenë të pambuluara) ndaj baballarëve të tyre, bijve të tyre, vëllezërve të tyre, djemve të vëllezërve të tyre, djemve të motrave të tyre ose para grave të tyre (besimtareve) apo para robëreshave të tyre. E, frikësohuni All-llahut (o ju gra), All-llahu është Dëshmitar për çdo gjë". Ky ajet njihet si ajeti i hixhabit (mbulesës), ku urdhërohen gratë e Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem dhe gratë e besimtarëve që të mbulohen me mbulesë Islame. Ky ajet ka zbritur në vitin e pestë të hixhretit të muajit Dhul-ka'deh. Nga ky ajet kuptojmë se cilëve burra gruaja ka të drejtë t'ia zbulojë bukuritë e saja, dhe se të gjithë burrave tjerë përveç këtyre është haram tu zbulohet bukuria e tyre. Daja edhe mixha nuk janë të përmendur në këtë ajet, por janë të përmendur në ajet tjetër (en-Nisa' 23)

Argumenti i tretë: Ajeti i dytë i hixhabit i cili urdhëron mbulimin e fytyrës me ferexhe. Thotë All-llahu subhanehu ue teala: "O Pejgamber! Thuaju bashkëshorteve tua, bijave tua dhe bashkëshorteve të besimtarëve ta lëshojnë xhilbabin (ferexhenë) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen që të mos i shqetësojë askush. All-llahu falë gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues. (el-Ahzab 59) Ka thënë Sujutiu rahimehull-llah: "Me këtë ajet All-llahu u drejtohet të gjitha grave muslimane ku i urdhëron që t'i mbulojnë kokat dhe fytyrat e tyre njëkohësisht. All-llahu subhanehu ue teala në ajetin e lartëpërmendur ka thënë: "…le ta lëshojnë xhilbabin (ferexhenë) …"; xhilbab në gjuhën arabe d.m.th. rrobë e gjërë me të cilin mbulohet i tërë trupi. Nga ky ajet nuk mund të kuptohet diçka tjetër pos urdhërit për mbulimin e fytyrës, sepse dihet se gratë në kohën e injorancës nuk kanë qenë të zbuluara sikur që janë të zbuluara disa gra sot, por ato i kanë pasur të zbuluara fytyrat. E, kur erdhi Islami i urdhëroi që t'i mbulojnë edhe fytyrat. Në këtë mendim na ndihmon edhe vet ajo se gratë e sahabëve e kanë kuptuar kështu. Këtë na e vërteton fjala e Aishes radijall-llahu anha e cila ka thënë: "All-llahu i mëshiroftë gratë e besimtarëve, kur e zbriti All-llahu ajetin "…le ta lëshojnë xhilbabin (ferexhenë)…" ato morën (shkynë) prej mbulesave të tyre (ku kishte tepricë) dhe me të mbuluan fytyrat, e kur faleshin pas Resulull-llahut dukeshin sikurse mbi kokat e tyre kanë shpend" Transmeton Ibën Merdujeh

Argumenti i katërt: thotë All-llahu subhanehu ue teala: "Thuaju besimtareve t'i mbrojnë shikimet e tyre (prej harameve) dhe të ruajnë trupin e tyre (nga imoraliteti), si dhe të mos i zbulojnë stolitë (zinetin) e tyre, pos asaj që duket, le të vejnë ferexhenë e tyre mbi gjithë trupin e tyre dhe të mos i zbulojnë stolitë (zinetin) e tyre përveç para bashkëshortëve të tyre, baballarëve të tyre, vjehrrive të tyre, bijve të tyre ose bijve të burrave, vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të veta (besimtareve) apo robëreshave të cilat i kanë në pronat e veta, ose shërbëtorëve (meshkuj) që nuk kanë ndjenja seksuale apo fëmijëve që ende nuk u zgjohen ndjenja turpi nga të shikuarit e gjinisë tjetër. Edhe le të mos i përplasin këmbët e tyre për të zbuluar diç nga stolitë e tyre. Të gjithë ju lutjuni All-llahut që t'iu falë o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim." (en-Nur 31)

Ky ajet na e bën të qartë se mbulimi i gjithë trupit të gruas është farz. Kjo shihet nga fjala e All-llahut subhanehu ue teala: "…dhe të mos i zbulojnë stolitë (zinetin) e tyre…"; ku ka për qëllim mbulimin e tërë trupit. E ata që thonë se lejohet zbulimi i duarve dhe fytyrës duke argumentuar me fjalën e All-llahut subhanehu ue teala “…pos asaj që duket…”, ku thonë se këtu është për qëllim duart dhe fytyra, si dhe në të njëjtën kohë na tregojnë se kështu e kanë komentuar këtë ajet edhe shumë dijetarë. Për të treguar se ky komentim i ajetit nuk është i qëlluar, po sjellim fjalën e Muhammed Emin esh-Shenkitit rahimehull-llah në lidhje me këtë ajet, ai në tefsirin e tij v.4 fq. 101 nga botimi i “Ihjau Turathil Arabij”, pasiqë i përmend fjalët e dijetarëve të cilët e kanë komentuar këtë ajet duke thënë se është për qëllim fytyra dhe duart, thotë: “Pasiqë i lexove këto fjalë, tani kujtoje atë që e kemi thënë në hyrjen e këtij librit të bekuar, se prej mënyrave të sqarimit (komentimit) është kur dikush prej dijetarëve të thotë një fjalë lidhur me atë ajet, por në ajet ka diç që të tregon se kjo fjalë nuk është e qëlluar. Poashtu kemi thënë se prej mënyrave të sqarimit është edhe ajo se kur për një fjalë në Kur’an ka disa mendime se çfarë kuptimi ka ajo fjalë, në atë rast ajo fjalë komentohet me atë kuptim me të cilin është përdorur në të shumtën e rasteve në Kur’an, dhe për këtë kemi përmendur disa shembuj në Hyrjen e librit. Pra, pasiqë e mësove këtë … dije se të dyja këto mënyra gjinden te ky ajet, për të cilin po flasim. E para: Ata që e komentojnë fjalën e All-llahut: “…të mos i zbulojnë stolitë (zinetin) e tyre, pos asaj që duket…”, se është për qëllim fytyra dhe duart, në vet ajetin ka shenjë që të tregon se kjo fjalë nuk është e saktë. Ajo shenjë është se fjala “zinet” (stoli) në gjuhën arabe përdoret për atë me të cilën zbukurohet gruaja, që nuk është nga esenca e fizionomisë së saj siç janë ari dhe të tjera. Pra, komentimi i fjalës “zinet” se është për qëllim fytyra dhe duart është në kundërshtim me këtë rregull, dhe nuk lejohet të komentohet kështu përderisa nuk ka ndonjë argument që aludon se duhet të komentohet ashtu… . Ndërsa mënyra e dytë është kjo: Përdorimi i fjalës “zinet” është i shumtë në Kur’an, fjalë me të cilën është për qëllim stolimi i jashtëm i një gjëje, e assesi nuk është për qëllim ndonjë pjesë e asaj gjëje. Sikur që është në fjalët e All-llahut -subhanehu ue teala- “O bijtë e Ademit, merreni zinetin për çdo namaz” d.m.th. vishuni bukur. (el-A’raf 31); “Thuaj: Kush i ndaloi zinetet (bukuritë) dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robët e Vet” (el-A’raf 32); “Gjithçka që është mbi Tokë, Ne e bëmë stoli të saj” (el-Kehf 7); “Dhe çdo gjë që u është dhënë juve është kënaqësi dhe stoli (zinet) e kësaj bote…” (el-Kasas 60); Vërtetë, Ne e kemi stolisur qiellin më të afërt më bukurinë (zinetin) e yjeve” (es-Saffat 6); “Edhe kuajt, (i krijoi) mushkat edhe gomejt, për t’ju hipur atyre dhe stoli (zinet)” (en-Nahël 8); “E ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë (zinetin) e vet” (el-Kasas 79); “Pasuria dhe fëmijtë janë stoli (zinet) e kësaj bote” (el-Kehf 46); “…se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëmse lojë, kalim kohe në argëtim, stoli (zinet)…” (Hadid 20); “Tha: Koha e caktuar le të jetë dita e stolisë-zinetit (festës)…” (Taha 59); “…porn e ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë (zinetet) e popullit…” (Taha 87); dhe: “Edhe le të mos i përplasin këmbët e tyre për të zbuluar diç nga stolitë (zinetet) e tyre”. Me fjalën “zinet” në të gjitha këto ajete është për ajo më të cilën stoliset apo zbukurohet diçka, e ky stolim dhe zbukurim nuk është nga esenca e asaj gjëje, por është i përfituar, siç je duke e parë edhe ti…”. Deri këtu me fjalën e dijetarit Muhammed Emin esh-Shenkiti rahimehull-llah.

Lidhur me këtë ajet mirë është të përmendim edhe fjalën e Abdull-llah ibën Mes’udit radijall-llahu anhu, i cili thotë: “Në këtë ajet është për qëllim vetë mbulesa e gruas”. Ngase edhe vetë mbulesa është stoli në vete, por ajo nuk ka mundësi që të fshihet, mu edhe për këtë All-llahu -azze ue xhel-le- e ka përmendur. Vall-llahu a’lem.

Argumenti i pestë: Transmeton Tirmidhiu nga Muhammed ibën Beshshar, ky nga Amër ibën Asim nga Hammami ky nga Katade nga Meuriku nga Ebul Ahves nga Abdull-llahi se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thëhë: "Gruaja është avret, e kur të dalë nga shtëpia, atë e udhëheq shejtani". Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen, por Muhammed Nasiruddin elAlbani rahimehull-llah në librin "Iruaul Galil" thotë se hadithi është sahih.

Ky hadith na tregon se gruaja e tëra është avret, e dihet se avreti duhet të mbulohet.

Argumenti i gjashtë: Transmeton Tirmidhiu rahimehull-llah nga Suvejdi nga Abdull-llahi nga Junus ibën Jezidi nga Ibni Shihabi nga Nebhani, shërbëtori i Ummi Selemes radijall-llahu anha (gruas së Resulull-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) i cili thotë se Ummu Seleme radijall-llahu anha i ka treguar se ajo dhe Mejmuneja radijall-llahu anhuma kanë qenë te Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe duke ndejtur aty, papritmas erdhi Ibën Ummi Mektumi radijall-llahu anhu dhe hyri brenda (kjo ndodhi ishte pas urdhërit të mbulesës) në atë moment Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha: "Mbulohuni prej tij" Thashë: Ja Resulull-llah, po ai është i verbër, nuk na sheh dhe nuk na njeh. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha: "Po ju a të verbërta jeni, a nuk po e shihni atë?!!". Tirmidhiu rahimehull-llah thotë se hadithi është hasen sahih. Mirëpo Shejh Albani rahimehull-llah këtë hadith e ka bërë daif, për shkak se në senedin e këtij hadithi gjindet Nebhani, e ai është i panjohur (mexhhul). Në shkencën e Hadithit dihet mirë se kur në një sened (zinxhir transmetimi) gjindet dikush i panjohur, për atë hadith thuhet se është daif. Mirëpo, për Nebhanin rahimehull-llah askush prej ulemave të hershëm të hadithit nuk ka thënë se ai është i panjohur, bile disa prej tyre kanë thënë se ai është thikah (i plotëbesueshëm), përveç Ibën Hazmit rahimehull-llah i cili ka thënë se është mexhhul, e në këtë e ka pasuar edhe Imam Albani rahimehull-llah dhe ka thënë të njëjtën gjë për Nebhanin rahimehull-llah sikur që ka thënë edhe Ibën Hazmi.E, Ibën Hazmi nuk ka pasur kurrfarë të drejte në këtë ngase Nebhani është prej tabiinëve e Ibën Hazmi është prej gjeneratave të vona. E në çka është mbështetur Ibën Hazmi kur ka thënë se Nebhani është i panjohur?! Sidoqoftë, edhe ibën Hazmi edhe Imam Albani rahimehumall-llah kanë hulumtuar për këtë mesele dhe All-llahu do t'i shpërblejë për hulumtimin e tyre in sha All-llah, por kjo nuk do të thotë se ata nuk gabojnë.

Sa i përket hadithit, nuk ka nevojë për shumë koment ngase ai qartë tregon se gruaja patjetër duhet të mbulohet para të huajve, e në mbulesë kemi për qëllim edhe fytyrën dhe duart.

Argumenti i shtatë: Transmetohet nga Aisheja radijall-llahu anha se ka thënë: "Kur ishim muhrime (në kohën e haxhit) kishte njerëz të cilët kalonin pranë neve, e në atë moment ne i lëshonim xhilbabet tona prej kokës dhe e mbulonim edhe fytyrën, e kur largoheshin ata, përsëri i zbulonim (fytyrat)" Këtë e transmeton Imam Ahmedi, Ebu Davudi, Ibën Maxheh, Darekutniu dhe Bejhekiu.

Në këtë hadith Aisheja radijall-llahu anha na tregon një gjë shumë të rëndësishme. Ne e dijmë se gruaja kur është muhrime (në haxh) e ka obligim që ta zbulojë fytyrën, dhe gratë e sahabëve kur kanë qenë muhrime i kanë pasur fytyrat e zbuluara, mirëpo në rast se ka kaluar dikush prej burrave që nuk ka te drejtë t’i shikojë ato, atëherë menjëherë i kanë mbuluar. Këtu po e shohim qartë se fytyra a gruas duhet të mbulohet patjetër.

Argumenti i tetë: Esma' bintu Ebi Bekër radijall-llahu anhuma ka thënë: "Ne i mbulonim fytyrat tona prej burrave të huaj dhe kriheshim para se të bëhemi muhrime". Transmeton Ibën Huzejme dhe Hakimi i cili thotë se hadithi është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.

Argumenti i nëntë: Thotë Aisheja radijall-llahu anha kur e tregon rastin me mixhën e saj prej gjirit –Eflah vëllai i Ebul Kajsit- se kur ka ardhur që ta vizitojë Aishen radijall-llahu anha, ajo nuk ia ka hapur derën (duke menduar se e ka të ndaluar të duket para atij) derisa ia ka hapur derën Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem dhe i lejoi që të hyjë brenda ngase ai është mixha i saj prej gjiri. (Muttefekun alejhi.)

Argumenti i dhjetë: Tregon Ukbe ibën Amir radijall-llahu anhu se Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: "Keni kujdes nga hyrja te gratë, e njëri prej Ensarëve tha: Po kunati?! Tha: Kunati sikurse vdekja" (Muttefekun alejhi)

Në hadithin e fundit Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem po na e tërheq vërejtjen nga hyrja te gratë, edhe po e shohim se si i është përgjigjur sahabiut kur e ka pyetur për kunatin. Pra, qenka haram të shihesh me kunatën e ku më të përshëndeturit për dore, që te ne është e përhapur me të madhe. E kjo padyshim se është në kundërshtim me sheriatin që e ka zbritur All-llahu subhanehu ue teala dhe që ne e kemi pranuar të njëjtin. Mendoj se nuk ka njeri musliman të mençur i cili mundohet të argumentojë se ka të drejtë kunati të përshëndet kunatën e tij për dore, por ka mundësi që dikush të mundohet të argumentojë se fytyra dhe duart e gruas nuk janë avret dhe nuk e ka obligim që t'i mbulojë ato. Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem thotë: "Gruaja është avret, e kur të del prej shtëpisë, atë e udhëheq shejtani". Sidoqoftë, ne nuk dëshirojmë të zgjerohemi shumë ne këtë shkrim modest, por mund të tregojmë se të gjitha argumentet e tyre nuk shpëtojnë prej këtyre tri gjendjeve:

1. Argumenti i tyre ose është sahih dhe i qartë por, është mensuh (i deroguar me ajetet e hixhabit) sikurse rasti me Zejneben radijall-llahu anha (bija e Resulull-llahut) e cila në Mina' e ka pasur qafën e zbuluar ku nënkuptohet se edhe fytyrën e ka pasur të zbuluar. E Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e ka urdhëruar që të mbulojë qafën e jo edhe fytyrën. Por ky rast ka qenë ende para shpalljes së ajeteve të hixhabit, e ata që kanë argumentuar me këtë kanë menduar se kjo ka qenë në Haxhin Lamtumirës.

2. Ose është sahih, mirëpo nuk është i qartë. Kështuqë me kësisoj argumente nuk mundemi që t'i hedhim poshtë argumentet që janë të vërteta dhe të qarta. Te dijetarët e mëdhenj është i njohur rregulli se argumentet e tilla (që quhen muteshabih) kuptohen sipas argumenteve te qarta (që quhen muhkem). Sikurse argumentimi me ajetin: "…dhe të mos i zbulojnë stolitë e tyre pos asaj që duket…"; dikush prej ulemave këtu mund të thotë se qëllimi i fjalës "pos asaj që duket" është fytyra dhe duart, e tjetri mund të thotë se qëllimi është vet veshja (mbulesa) apo qëllimi është për atë që mund të duket rastësisht ose për nevojë të patjetërsueshme. Pra, me këtë argument nuk mund të mohojmë argumentimin me ajetet dhe hadithet që janë plotësisht të qarta, sikurse ajeti: "Thuaju bashkëshorteve tua, bijave tua dhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë ferexhen (mbulesën-xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre". Apo hadithi: "Ne i mbulonim fytyrat tona prej burrave të huaj dhe kriheshim para se të bëhemi muhrime".

3. Ose është i qartë mirëpo nuk është i vërtetë (sahih). Me kësisoj argumenti nuk argumentohet e ku më të kundërshtohen argumentet e vërteta dhe të qarta.

Mendoj se këto argumente mjaftojnë sa për të treguar se gruaja muslimane e ka obligim hixhabin (mbulesën Islame) dhe me të ta mbulojë tërë trupin e saj, duke e mbuluar edhe fytyrën dhe duart.

Vëllezër dhe motra! Ky është sheriati që All-llahu subhanehu ue teala na ka urdhëruar ta praktikojmë dhe neve nuk na vjen aspak turp që ta tregojmë hakun, edhepse ndonjë musliman ose ndoshta edhe ndonjë hoxhë mund të thotë se kjo është prapambeturi dhe padrejtësi ndaj gruas. Por, unë jam i bindur se ky njeri edhepse ndoshta jetën më të mirë të tij e ka kaluar duke kërkuar dituri, ky ende nuk ka kuptuar gjë prej Islamit. Te ky më së tepërmi kanë ndikuar traditat e popullit dhe thirrjet e ndryshme të kafirave sesa fjalët e All-llahut subhanehu ue teala dhe të Të Dërguarit të Tij sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Kjo ka ndodhur ngase ata janë turpëruar para botës kafire që të tregojnë të vërtetën për Islamin. Kanë dashur që t'i japin "të drejta" gruas më shumë se sa i ka dhënë All-llahu subhanehu ue teala. All-llahu na mbroftë prej këtyre mendimeve.

Pas kësaj mund të thotë dikush se kjo nuk mund të praktikohet assesi. Unë i them atij se kjo mund të praktikohet me vështirësi në fillim e jo "assesi". Sepse All-llahu subhanehu ue teala nuk e ngarkon robin e Tij sa nuk mundet.
Poashtu edhe si problem për praktikimin e kësaj gjëje disa e paraqesin edhe atë se kjo të pengon në thirrjen e të tjerëve në Islam. Mirëpo në këtë nuk ka asgjë të vërtetë, sepse All-llahu -subhanehu ue teala- është vigjilent për atë që urdhëron, ashtuqë nuk ka mundësi të urdhëron në diçka, e ky urdhër të vijë në kundërshtim me praktikimin e një urdhëri tjetër. Mirëpo nëse has në probleme duhet të dihet se kështu është natyra e këtij sheriati, dhe muslimani duhet të adoptohet në këtë, e padyshim se All-llahu -subhanehu ue teala- do t’u ndihmojë muslimanëve të sinqertë.

Kemi dëshirë që t'i tregojmë motrës tonë të dashur se ajo në Islam ka pozitë të lartë, duhet të bindet se praktikimi i Sheriatit është i vetmi shpëtim për të në veçanti e më vonë edhe për gjithë ummetin në përgjithësi. Ajo duhet të jetë e kënaqur për atë vlerë që ia ka dhënë All-llahu subhanehu ue teala në shoqërinë Islame, dhe të ketë kujdes nga thirrjet e kota antiislame. Duhet të sakrifikojë çdo gjë për All-llahun subhanehu ue teala, nëse ka nevojë edhe jetën e saj. E nëse ndonjëra prej motrave ka dyshim për disa gjëra, sikurse të thotë: unë kam kaluar jetën time më të mirë në mësime dhe kam qenë e shkëlqyeshme çdo herë, dhe nëse unë bëhem ashtu si thotë Sheriati, atëherë gjithë ajo për të cilën jam munduar kohë të gjatë nuk paska kurrfarë vlere. Ne i themi kësaj motreje të dashur e cila ka dëshmuar se All-llahu subhanehu ue teala dhe I Dërguari i Tij janë më të dashur se çdo gjë: Mos u pikëllo motër e dashur, nuk është ashtu si mendon ti. Dihet se çdo gjë, për tu praktikuar duhet së pari t'i plotësojë kushtet e veta. Sikurse, për të falur namazin, patjetër duhet të marrish abdest. E njëjta gjë është edhe për shkollimin e femrës, punësimin e saj apo inkuadrimin e saj në ndonjë sferë tjetër pune. Kusht për të gjitha këto është që ato mos të kenë kurrfarë kontakti me burrat e huaj. Nëse ky kusht nuk plotësohet atëherë e gjithë ajo është e ndaluar. Oj motër, kështu është ligji i All-llahut subhanehu ue teala, andaj mos dysho në të, dhe hiqju dyshimeve të shejtanit. Oj motër, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, të cilin ti e ke pranuar si pejgamber ka thënë: "Kush largohet prej diçkaje për hirë të All-llahut, All-llahu ia zëvendëson me diçka më të mirë". Andaj, nëse ti largohesh prej ndonjë pune vetëm për hirë të All-llahut subhanehu ue teala, bëhu e sigurt se nëse All-llahu subhanehu ue teala nuk ta zëvendëson me diçka më të mirë në këtë dunja, do ta zëvendësojë me diçka shumë të shtrenjtë në Ahiret, të jesh e bindur se ai është xhenneti që All-llahu subhanehu ue teala e ka krijuar për ata që e respektojnë mu ashtu si ti. Prandaj, mos u pikëllo oj motër dhe mos dysho në praktikimin e ligjeve të Krijuesit tënd. Duhet të mos harrosh asnjëherë se për çdo gjë All-llahu është I Vetmi që ndihmon, andaj kërko ndihmë, forcë dhe iman të fortë prej Tij pandërprerë. Duhet të gjithë të kemi kujdes shumë prej postierëve të shejtanit, e ata janë aq shumë saqë shpeshherë nuk mund t'i vëresh. Ata mund të jenë kafira dhe mushrikë, bidatxhinj dhe munafika, bile mund të jenë edhe musliman të mirë te të cilët kanë filluar të ndikojnë thirrjet antiislame. Ata e kanë një detyrë, ti largojnë njerëzit nga adhurimi i All-llahut subhanehu ue teala, dhe e kanë kuptuar se nuk munden që t'i largojnë nga ky adhurim shumë shpejt, por hap pas hapi, edhe nëse një hap zgjatë kohë të gjatë. Kur jemi ndonjëherë së bashku me kësisoj njerëz, e kemi për borxh që mos t'i lejojmë që t'i lexojnë letrat e shejtanit para neve, e nëse nuk kemi mundësi që ta bëjmë këtë atëherë duhet të largohemi automatikisht nga ai mexhlis. All-llahu na ndihmoftë.

Pastaj, o muslimanë! Ne duhet ta dimë se Xhenneti është i rrethuar me vështirësi dhe nuk fitohet lehtë. Nëse mendojmë vetëm pak se sa mundime ka pasur Resulull-llahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, njeriu pa mëkate, njeriu më i dashur tek All-llahu subhanehu ue teala dhe Pejgamberi i fundit, do të na kishte mjaftuar si këshillë dhe do të ishte kurajo për neve që ta praktikojmë sa më tepër Islamin. Edhe një gjë duhet të dimë: secila vepër që ka më shumë vështirësi ka edhe më shumë sevape.

O Zoti ynë, Ti je Ndihmësi ynë dhe Falësi ynë. Na ndihmo në praktikimin e urdhrave Tua dhe na bën muslimanë të sinqertë. Na i fal gabimet tona dhe na e dhuro Xhennetin më të lartë, Xhennetin Firdeus. Na bashko në Xhennet së bashku me Pejgamberët, me të sinqertit, me shehidat dhe me gjithë njerëzit e mirë. Amin

Search site