Mbi fikhun e agjërimit

20/05/2008 11:27

 

Mbi fikhun e agjërimit

“Muaji i Ramazanit në të cilin është zbritur Kurani. Kurani është udhërrëfyes për mbarë njerëzimin, sqarues i të drejtës nga e kota, Furkan, dritë, parim që nëpërmjet të cilit dallohet e vërteta nga  gënjeshtra. Kush do që prezanton (mëson, din, për) këtë muaj të agjërojë.” Bekare, 184.

Allahut, Zotit tonë i takon falënderimi që e zbriti Kuranin mbi Muhamedin (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe në të nuk ka kundërthënie. Nuk ka lënë gjë që të jetë e nevojshme për mbarë njerëzimin vetëm se e ka përmendur, sqaruar. Larg prej të metave je Ti o Zoti ynë! Paqja, mëshira, salavatet më të mira qofshin mbi Muhamedin (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) që ishte vetë Kurani që ecte në tokë. Ajeti në fjalë konsiderohet argumenti bazë për fikhun e agjërimit. Prej nurit, dritës që buron prej këtij ajeti sa e sa zemra kuptuan se duhet dhe e kanë obligim të agjërojnë dhe kjo po trashëgohet brez pas brezi e po përçohet nga një kombësi në tjetrën si vetë drita e diellit. Megjithëse diku metaforik e diku tjetër për traditë e diku tjetër i tepruar e diku tjetër ashtu siç kënaq Allahun që vetëm ky i fundit është që shëron sëmundjet e zemrës, të shpirtit dhe që është në Islamin e vërtetë në origjinë dhe jo në Islamin e paraqitur nëpër reklamat e mikura  e të strukura në depot e armiqve të të vërtetës drita e secilës verbon dhe të verbrit, ngaqë ata vetë nuk duan të shërohen me fjalët e Zotit. Shih se ç’thotë Zoti yt në lidhje me agjërimin e vërtetë, të kulluar si uji i ftohtë në një ditë të ftohtë, i cili e prish gjumin e një besimtari kur hedh tejet gjumin:

O ju të cilët keni besuar (në Zot, të Dërguarin e Tij, Kuranin, Ditën e Gjykimit)! Allahu ua ka bërë obligim agjërimin (në këtë muaj) ashtu siç ishte obligim për popujt para jush që të jeni të devotshëm (me kryerjen e urdhrit të Zotit Tuaj). Bekare, 183.

Ç’është agjërimi? Agjërimi është të privuarit.

Ndërsa në aspektin fetar: Privimi i të rriturit musliman me qëllim adhurimi dhe përkushtimi ndaj Zotit prej çdo ushqimi, pirje, marrëdhënie intime, ejakulimi me qëllim nga agimi deri në perëndim të Diellit për çdo musliman që nuk e pengon ndonjë gjë e përcaktuar.

I nderuar vëlla, ky ishte agjërimi i fesë me të cilën është dërguar Muhamedi (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) dhe se çdo lloj agjërimi përveç tij “Është i vendosur poshtë këmbëve”1

Jo vetëm agjërimi po çdo lloj vepre që nuk ka origjinën në Islam ngaqë Islami është plotësuar dhe se çdo shpikje në fe pa përjashtim është humbje e çdo humbje e ka vendin në zjarr. Kështu që, kushdo që i thotë vetes musliman duhet t’i përmbahet kësaj që u përmend më lartë nëse dëshiron të afrohet te Zoti i tij.

Kush duhet të agjërojë

Në bazë të ajetit të lartpërmendur dhe përkufizimit fetar e ka për obligim të agjërojë çdo person që përmbush këto kushte:

1. Musliman.

2. I rritur (të ketë arritur moshën e pjekurisë)

3. Logjikë të shëndoshë (jo i çmendur).

4. I shëndetshëm (d.m.th. që mos ta dëmtojë agjërimi).

5. Vendas.

6. (për femrat) Hajdi (të përmuajshmet), Nifasi (lehonia). Gratë që nuk agjërojnë për ndonjë arsye si kjo apo për shkak të shtatzanisë apo gjidhënies agjërojnë më vonë.

Në bazë të kushteve të lartpërmendura veçojmë:

·                                 Udhëtari dhe i sëmuri me sëmundje të rëndë të cilët nuk agjërojnë,  më vonë agjërojnë.

·                                 Qafiri (mohuesi, i krishteri, çifuti, idhujtari) nëse bëhet musliman në ramazan agjëron atë që e zë prej ramazanit, ndërsa për atë që ka kaluar s’ka përse të agjërojë.

·                                 Gruaja me hajd nëse pastrohet para agimit agjëron edhe nëse nuk është larë.

·                                 Burri xhunub (që e ka obligim larjen) agjëron edhe nëse e zë agimi pa u larë.

·                                 Femra me istihada (hemoragjia që nuk është prej të përmuajshmeve as lehonisë) nëse dëmtohet nga agjërimi ka ligjin e femrës me hajd.

·                                 I thyeri në moshë, nëse e dëmton agjërimi nuk agjëron po kryen shpagimin.

·                                 I sëmuri me sëmundje të pashërueshme apo të pashpresë që e dëmton nëse agjëron nuk e agjëron dhe bën shpagim.

·                                 I ngarkuari me punë të rëndë i cili nëse agjëron mund të vdesë apo rëndohet, dëmtohet nga agjërimi, agjëron më vonë, kur të jetë më e lehtë dhe e pamundimshme për të.

·                                 Kush është i sigurtë se agjërimi mund të bëhet shkak që ndokujt t’i shkatërrohet pasuria apo t’i humbë nderi nuk agjëron dhe kur t’i jepet mundësia agjëron.

Shtyllat e agjërimit

  1. Koha: a) si muaj;  b) si ditë.
  2. Të larguarit nga gjërat që e prishin agjërimin: a) të përmendura në sheriat;  b) të papërmendura në sheriat.
  3. Nijeti përpara agjërimit.

Shtylla e parë: Koha.

Si muaj llogaritet:

1. Me llogaritjen e shabanit 30 ditë nëse ka re.

2. Me shikimin e hënës së re të ramazanit dhe jo me përllogaritjet astronomike.

3. Nëse shihet në ndonjë vend të muslimanëve dhe mbërrin lajmi te vendet e tjera.

Si ditë llogaritet nga agimi deri në perëndim. Agim konsiderohet drita e cila shpon horizontin horizontalisht që shfaqet në qiell pas dritës që shfaqet vertikalisht. (Siç ka ardhur ky sqarim në një transmetim të cilin e ka përmendur imam Ahmedi në Musnedin e tij. Nëse gabohet në përcaktimin e agimit dhe të perëndimit pasi janë marrë masat për të mos gabuar nuk obligon përsëritje të agjërimit.

Për disa “hoxhallarë” që vetëm e lexojnë Kuranin dhe dërdëllisin sikur kanë shumë dije po përmend një hadith i cili u tregon atyre se kjo fe nuk është me trashëgimi, por me dije që buron nga Kurani, Suneti i vërtetë dhe sipas kuptimit të sahabëve të nderuar. Ky hadith është transmetuar nga Adij i biri Hatimit (radiallahu anhu). Që të marrin vesh shpjegimin e ajetit 186 në suren Bekare që po të përkthehet fjalë për fjalë nga ata që dinë disa fjalë me “Peri i bardhe dhe peri e zi” Se e ka kuptimin drita e agimit nga errësira e natës” Kjo ishte një shprehje arabe që nënkuptohej kuptimi i dytë. “Kur zbriti thënia e Zotit: Plotësojeni agjërimin derisa të qartësohet fjolla e bardhë (drita) nga fjolla e zezë (natën) mora një copë litari të zi e një të bardhë dhe haja derisa shikimi im i dalloi. Më pas erdha për të pyetur të dërguarin e Allahut (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) i cili më tha: ‘Është për qëllim drita e agimit dhe errësira e natës’.” . Buhariu dhe Ahmedi.

Shtylla e dytë: Largimi nga ato gjëra që e prishin agjërimin.

a) Të papërmendura në sheriat. Nuk duhet të harrojmë se sheriati nuk bën dallim, veçon ndërmjet të ngjashmëve dhe nuk bashkon ndërmjet të ndryshmeve në ligj në përgjithësi. Gjë që njihet me emrin Kijas (analogji, krahasim).

1. Nëse agjëruesi gëlltit ndonjë gjë të pa ushqyeshme, zakonisht e prish agjërimin.

2. Nëse pështyma e  agjëruesit e ndryshon origjinën, duke u zverdhur a përzihet me elementë të tjerë nëse e gëlltit, duke pasur mundësi ta nxjerrë e prish agjërimin.

3. Pluhurat, erërat, aromat nga të cilat agjëruesit nuk mund të ruhet se prishin agjërimin.

4. Injeksionet ushqyese e prishin gjithashtu.

5. Pirja e duhanit e prish agjërimin, nëse është me dashje.

b) Të përmendurat në Sheriat.

1. E vjella me dashje “E vjella s’e prish agjërimin, të vjellët me dashje e prish.”

2. Ngrënia,pirja.

3. Marrëdhëniet intime

4. Ejakulimi, për çdo lloj shkaku nga vetë personi si masturbimi, etj.

5. Hixhame (shërimi duke nxjerrë gjakun e keq nga trupi, mënyrë e njohur profetike e shërimit e njohur dhe sot e kësaj dite) gjegjësisht mendimi më i drejtë është se nuk e prish agjërimin.

Të gjitha këto që u përmendën më lart e prishin agjërimin, nëse agjëruesi i bën me vetëdije, pa harresë, jo i detyruar.

Nëse agjëruesi e sheh të nevojshme ta prishë agjërimin që t’i shpëtojë jetën ndokujt, lejohet ta bëjë një gjë të tillë, madje e ka obligim dhe e kompenson atë ditë më vonë.

Shtylla e tretë: Nijeti (Qëllimi).

I cili duhet të jetë para agjërimit, gjegjësisht natën për shkak të hadithit “Nuk ka agjërim për atë që se bën nijetin natën.” Transmeton Nesaiu. Dhe që duhet të jetë për çdo ditë më vete dhe se një nijet nuk mjafton për tërë agjërimin 30-të ditësh.

Mjafton dija për të nesërmen se është ditë agjërimi si nijet për të.

Nuk ka ndonjë lloj shprehje të caktuar për ndonjë lloj agjërimi para se të kryhet, agjërimi ka të njëjtin ligj të shprehurit e nijetit në të është bidat.

Ligji i lartpërmendur (në lidhe me kohën e nijetit ) është vetëm për agjërimin farz, për agjërimin sunet, nafile njeriu mund ta bëjë nijetin edhe ditën.

Së fundi, e lus Allahun të na falë për gabimet, të na i pranojë adhurimet!

I nderuar vëllai im!

Mos harro se asnjëherë nuk është vonë, dyert e Allahut janë të hapura për të gjithë. Ramazani të thërret, afrohu drejt mëshirës së Zotit tënd, madje dhe nëse të kanë kaluar ditë pa agjëruar, filloje nesër pjesën tjetër e kompenson.

Ahmed Kalaja

22.09.2006

 

Search site