Zekati - adhurim, pasterti apo falënderim?

21/05/2008 00:03

 

Zekati - adhurim, pasterti apo falënderim?

 

Zekati, një term sa drithërues po aq edhe mbresëlënës. Drithërues për njerëzit me zemra të sëmura, të cilët akoma nuk e kanë kuptuar se nga i erdhi kjo pasuri, kush është zoti i vërtetë i saj; por njëkohësisht edhe mbresëlënës për ata që zemrat e tyre i kanë të hapura për këdo që ka
nevojë, që e njohin Atë që ia ka dhënë dhe e dinë se kush ka të drejtë në pasuritë e tyre: “Dhe ata që pasurinë e vet e kanë ndarë në një pjesë të caktuar, për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp...”(70:25)
Allahu i lartësuar e detyroi zekatin për të pasurit, duke e bërë atë një të drejtë legjitime në pasuri, në kohë dhe për grupe të caktuara. Qëllimi dhe përfitimi i zekatit i shkon individit, shoqërisë, shtetit dhe tërë ymetit. Sa herë që përmendet namazi në Kuran, gjejmë të përmendet me të edhe zekati. Allahu në një ajet kuranor thotë: “Kryeni faljen dhe jepni zekatin.”(73:20)
Fekhr Ed Din Er Razi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Urtësia në detyrimin e zekatit shfaqet në disa anë, ku disa prej tyre janë në interes të dhënësit të zekatit e disa të tjera janë në interes të atij që e merr.”


Zekati si adhurim
Pasuria, sigurisht, që është diçka e dashur, veç zhytja në dashurinë për të çon në harresën e dashurisë për Allahun dhe parapërgatitjen për ahiret. Urtësia hyjnore e detyroi të pasurin të nxirrte një pjesë të caktuar të pasurisë, që kjo të ishte jo vetëm një thyerje e etjes së tij për të, por edhe përkujtim për njeriun. Lumturia nuk arrihet duke u përpjekur për të mbledhur pasuri, por ajo qëndron, pikërisht, në shpenzimin e kësaj pasurie për të arritur kënaqësinë e Allahut. Pikërisht, ky është edhe kuptimi i ajetit kuranor: “Prej pasurisë së tyre merr lëmoshë, që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh të mirat.”(9:103)
Kjo dhënie e zekatit është edhe një manifestim i përuljes para Allahut, bindje dhe zbatim i urdhërave të Tij.


Zekati si falënderim
Në librin e tij “Islami si krahasues” Ahmed El Hebabi thotë: “Dhënia e zekatit është falënderim i mirësisë me të cilën Allahu nderoi të pasurin, pasi vetë falënderimi nuk shprehet ndryshe, veçse me shpenzimin që bën një person nga tërë mirësitë me të cilat e nderoi Allahu. Ka mënyra të ndryshme për të falënderuar Allahun për mirësitë e Tij. Një prej tyre është edhe zbatimi i urdhërit të Tij, për nxjerrjen e një pjese të pasurisë e për t’ia shpërndarë atë të varfërve e nevojtarëve, mëshirë e keqardhje për ta. Kush nuk falënderon këto mirësi, ballafaqohet me mundësinë e eleminimit të saj.
Po ta shohim nga ana sociale shpërndarjen e kësaj pjese të pasurisë që u jepet të varfërve, ajo ka një ndikim pozitiv tek ta, sepse kur ata shohin një të pasur që jeton dhe reflekton ndaj problemeve dhe varfërisë së tyre, nuk do t’ia hedhin sytë pasurisë së tij për grabitje apo vjedhje, pra, nuk do të cënojnë as pasurinë e as vetë të pasurin. Duket qartë se përfitimi është i dyanshëm. Pikërisht, këtë na porosit edhe profeti Muhamed (a.s) kur thotë: “Mbrojini pasuritë tuaja me lëmoshë.”
Kjo shprehje solidariteti dhe përkrahjeje për të varfërit nuk është diçka etike, që buron nga zemrat e disa personave, por mbi të gjitha, është detyrë shoqërore, fetare, sepse e drejta e tyre ndaj shoqërisë nuk humbet, kur këta të pasur mbledhin duart e nuk japin prej asaj pasurie që nuk janë pronarë të vërtetë të saj. Këtë na e tregon fare qartë edhe Ali bin Ebi Talibi në thënien e tij: “Nuk uritet i varfri, vetëm kur mbledh dorën i pasuri.”
Kur këta të pasur dhanë me sinqeritet pjesën e pasurisë së caktuar, sundoi bollëku e begatia dhe u minimizua varfëria. Fare mirë mund të përmendim kohën e halifit të pestë, Omer bin Abdul Azizit dhe begatinë që arriti shteti islam nën sundimin e tij. Ishte zbatimi me sinqeritet i urdhërit të Allahut për nxjerrjen e zekatit, që bëri të sundonte begatia e të humbnin të varfrit. Kur nëpunësit e tij iu drejtuan halifit dhe e njoftuan se kishte mbetur përsëri shumë, edhe pasi kishin marrë të tërë nevojtarët dhe nuk kishin ku të shpërndanin nga zekati, ai urdhëroi që me pjesën e mbetur të blihej grurë e t’u shpërndahej shpendëve në tërë shtetin islam, që edhe ata të përfitonin prej mirësisë së muslimanëve, të dhuruara nga Allahu.


Zekati si e drejtë e Allahut
Shoqëria islame e kuptoi mirë këtë parim, prandaj atje mbizotëroi një jetë e qetë, pa probleme, ku tërë individët e saj ishin si gjymtyrët e një trupi të vetëm që mbështetin njëri-tjetrin. Pikërisht, feja islame këtë shtyllë të madhe të tij nuk e la në dorën dhe zemrën e të pasurve, që ndiejnë keqardhje një ditë e jo gjithmonë; japin sot e jo nesër; japin shumë apo japin pak. Kështu, i varfri, në vend të qetësohet nga shërimi i plagës së varfërisë, i hapet një plagë tjetër, ajo e stresit psikologjik. A do t’ia përmbushë i pasuri nevojën e tij? Ndoshta sot, nesër, ndoshta kurrë... Islami këtë e bëri shtyllë të tij, të drejtë, detyrë për muslimanët dhe mbi të gjitha, i ka përcaktuar masat dhe kohën kur të jepet, që i varfri të jetë në siguri të plotë e i qetë.


Sinqeriteti
Islami ka shtyllat e tij, ku çdo shtyllë në vetvete ka pjesët përbërëse të saj, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Përbërësi i parë kryesor i çdo shtylle është sinqeriteti. Islami kërkon që njeriu në çdo hap të tij e sidomos kur kryen një detyrim fetar, të zhvishet nga çdo ves e rrobe e pluhurosur, të nxjerrë në pah atë virtyt të natyrës së pastër njerëzore që ia ka dhuruar Zoti i tij në momentin kur e ka krijuar, sinqeritetin. Pikërisht, edhe për zekatin, një nga shtyllat kryesore të tij është sinqeriteti. Ai dallon se për çfarë u krye ky detyrim: për ta parë njerëzit, për të fituar ndonjë pozitë, për ta përmendur kur t’i nevojitet... Këtu na paralajmëron Allahu (xh.sh) në Kuran dhe thotë : “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson as Allahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar, që mbi të ka pak dhe’ e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. Allahu nuk udhëzon popullin jobesimtar.”(2:264) Ky është përfitimi i atyre që nuk e bëjnë sinqeritetin pjesë përbërës të bindjes së tyre ndaj Allahut. Nga krahu tjetër, ja se si na i paraqet Allahu (xh.sh) ata që në qendër të çdo pune kanë sinqeritetin për Të: “Ata, që për hir të Allahut (xh.sh) japin pasurinë e tyre duke mos e përmendur me mburrje, kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre. Për ata nuk ka frikë e ata nuk do të brengosen.” (2:262)
Pikërisht, ky element, që mund të duket shumë i thjeshtë është krey i çdo pune të mirë dhe çelësi i pranimit të saj. Këtë e tregon edhe praktika njerëzore në falënderimet ndaj Krijuesit dhe mirësisë së Tij.
Në fund, mund të themi që zekati është detyrim fetar ndaj Allahut (xh.sh) e ndaj shoqërisë. Kjo është dhënë edhe në ajetet kuranore që flasin për detyrimin e tij si pastrim i zemrës, si çelësin e shtimit të kësaj mirësie: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”(7: 14)


Nga Gentian Bodlli

Search site