Këshillë kërkuesit të diturisë

15/05/2008 15:52

Këshillë kërkuesit të diturisë

 

 

Falënderimi i takon vetëm All-llahut [subhanehu ue teala], Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kë e udhëzon All-llahu në rrugë të drejtë nuk ka kush e largon nga ajo (rruga e drejtë) dhe kë e le në humbje Ai, nuk ka kush e udhëzon në rrugë të drejtë. Paqja, mëshira dhe shpëtimi i All-llahut qoftë mbi krijesën më të zgjedhur të Tij, Muhammedin [sal-lAll-llahu 'alejhi ue sel-lem], mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët-as’habët e tij besnikë dhe mbi të gjithë pasuesit e Rrugës së Drejtë. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër pos All-llahut dhe dëshmoj se Muhammedi [sal-lAll-llahu 'alejhi ue sel-lem] është rob dhe i dërguar i All-llahut.

Duke parë sjelljen e një pjese të kosiderueshme të nxënësve të dijes (Talibul-ilm) të cilët mirren me nxënien e diturisë për përfitimin e të mirave materiale në këtë botë dhe duke mos i kushtuar kujdes kënaqësisë së All-llahut të Madhëruar, i zgjodha këto fjalë që do të mund t’i lexoni në vazhdim të këtij shkrimi ashtu që duke shpresuar në ndihmën e All-llahut të përfitoj unë dhe ju të cilët e lexoni. E lusim All-llahun e Madhëruar që këtë vepër të na pranoj si pjesë e veprave tona të mira dhe gjithashtu e lusim All-llahun e Madhëruar që edhe lexuesve të këtij shkrimi t’u bëj dobi leximi i tij.

Transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli se Pejgamberi [sal-lAll-llahu 'alejhi ue sel-lem] ka thënë:

“Biri i Ademit nuk mund të hapërojë Ditën e Kijametit para se t’ju përgjigjet 4 (katër) pyetjeve:

-          Jetën e vet ku e kaloi;

-          Rininë e vet ku e çoi;

-          Pasurinë e vet si e fitoi dhe ku e harxhoi dhe

-          Diturinë e vet ku e praktikoi”.

Vëllezër të nderuar! Ky hadith është barrë e rëndë për bartësit e diturisë, sepse nesër All-llahu i Madhëruar pa dyshim do t’i pyesë sa e praktikuan diturinë e vet dhe ç’vepruan me të. Ashtu do të pyetet edhe çdo i moshërritur për dhuntitë e All-llahut që ia dhuroi, ç’veproi me to. Dhuntitë e jetës, të rinisë, të pasurisë dhe në fund të diturisë. Me diturinë All-llahu [subhanehu ue te'ala] e dalloi njeriun nga shtazët. Dituria është dhunti shumë e çmueshme, prandaj Allahu ia fal vetëm atij që e do. Ndërsa falënderimi ndaj këtij ni’met (dhuntie) është të veprosh sipas saj dhe t’ua mësosh të tjerëve. Kush merr dituri dhe vepron sipas saj, vetëm ai ka marr dituri dhe meriton të quhet Dijetar dhe Edukator. E kush mëson diçka e pastaj e fsheh nga njerëzit, kurse ata kanë nevojë për diturinë e tij, do të gjuhet Ditën e Kijametit me gaca të zjarrit. Ndërsa ai që mëson dhe nuk vepron sipas asaj që e ka përvehtësuar, i përngjanë gomarit të ngarkuar me libra të çmuar. Gjëja që më së shumti e frikësonte Muhammedin [sal-lAll-llahu 'alejhi ve sel-lem] për ummetin pas vdekjes së tij ishte munafiku i dijshëm.

Munafiku i dijshëm! Parashtrohet pyetja si është e mundur që njeriu të jetë njëkohësisht dijetar dhe munafik?!

Munafik i dijshëm është ai dijetar që gjuhën e ka të mprehtë kurse zemrën e zbrazët nga frika ndaj All-llahut [subhanehu ue te'ala]. Nga Aliu r.a. transmetohet se Pejgamberi [sal-lAll-llahu 'alejhi ue sel-lem] ka thënë:

“Vërtet, unë nuk brengosem për ju nga ndonjë besimtarë apo mushrik. Besimtarin  e mbron imani i tij, kurse mushrikun e asgjëson kufri i tij. Por brengosem për ju nga ndonjë munafik që diturinë e ka vetëm në gjuhë. Flet për atë që ju e doni, kurse punon për atë që ju e urreni”.

Vëllezër të nderuar, ky pra është  ai që kokën e ka përplot dituri, kurse zemrën e ka të zbrazët nga frika ndaj All-llahut [subhanehu ue te'ala]

Shtrohet pyetja se:

Cila është shenja e frikës ndaj All-llahut [subhanehu ue te'ala]?

Shenja e  frikës ndaj All-llahut [subhanehu ue te'ala] është të vëndosh kufi mes vetes dhe mëkateve.

Por, çka e ndihmon njeriun t’ia ketë frikë All-llahut [subhanehu ue te'ala]?

Në këtë aspekt njeriun e ndihmon përkujtimi i vdekjes dhe ahiretit. Kjo i pastron zemrat e damkosura dhe ia zvogëlon njeriut lakminë ndaj kësaj bote. Pejgamberi [sal-lAll-llahu 'alejhi ve sel-lem] na ka lënë dy këshilltarë. Njëri flet e tjetri hesht. Ai që flet është Kur’ani, ndërsa ai që hesht është vdekja. Këta dy këshilltarë mjaftojnë për besimtarin. Zemra e besimtarit fillon të varfërohet pikërisht kur e kaplon harresa e vdekjes.

A nuk kuptohet nga kjo se besimtari e nënçmon jetën dhe e urren atë?

Jo, vëlla i dashur! Çdo ditë për besimtarin është me vlerë. Gjatë jetës ai e adhuron All-llahun, është i dobishëm për krijesat e tij dhe i kontrollon veprimet e veta. Kjo është për njeriun arë e ahiretit. Sot mbjell në këtë botë, nesër korr në botën tjetër.

Vëllezër të nderuar! Kjo botë në peshojën e All-llahut nuk peshon as sa krahu i mushkonjës. Vetëm në dunja i bëhet mëkat All-llahut, vetëm në të kundërshtohen urdhërat e Tij, prandaj edhe është e mjerë. Armiqtë e All-llahut në këtë botë argëtohen dhe sillen me arrogancë, ndërsa dashamirët e Tij shtypen dhe torturohen. Të mjerët ne, në qoftë se na tërheq kjo botë dhe e harrojmë botën tjetër (ahiretin). All-llahu dunjanë ia jep atij që do, por edhe atij që nuk e do, kurse fenë dhe ahiretin ia jep vetëm atij që e do. Dine se nuk ka vlerë feja pa dituri, por edhe nuk ka vlerë edhe dituria pa vepër. Po ashtu edhe vepra nuk ka vlerë pa sinqetitet në të. E lusim All-llahun e madhërishëm që të na ndihmojë me kujdesin dhe suksesin e Tij, ashtu që të jemi prej atyre që mësojnë për të vepruar, që veprojnë për ta treguar sinqeritetin dhe janë të sinqertë për ta fituar kënaqësinë e All-llahut dhe Xhennetin e Tij.

Përshtati: Sehad Kadiri

Search site